Bota

Sulmet Izrael-Iran: Cilët janë skenarët më të këqinj?

Pavarësisht mohimeve të vazhdueshme nga SHBA-të, Irani duket se beson se forcat amerikane kanë miratuar, ose të paktën mbështetur në heshtje, sulmet e Izraelit.

F.I
Sulmet Izrael-Iran: Cilët janë skenarët më të
foto ilustruese

IRAN-Për momentin, përplasja mes Izraelit dhe Iranit duket se është e kufizuar vetëm mes dy vendeve. Në Kombet e Bashkuara dhe në skena të tjera ndërkombëtare ka pasur thirrje të shumta për vetëpërmbajtje.

Po sikur të mos i dëgjojnë? Po sikur luftimet të përshkallëzohen dhe të zgjerohen? BBC sjell disa nga skenarët e mundshëm, në rastet më të këqija.

SHBA përfshihet në konflikt

Pavarësisht mohimeve të vazhdueshme nga SHBA-të, Irani duket se beson se forcat amerikane kanë miratuar, ose të paktën mbështetur në heshtje, sulmet e Izraelit. Si përgjigje, Irani mund të godasë objektiva amerikane në Lindjen e Mesme, si kampet e forcave speciale në Irak, bazat ushtarake në Gjirin Persik apo misionet diplomatike në rajon.

Edhe pse grupet aleate të Iranit si Hamasi dhe Hezbollahu janë dobësuar, milicitë pro-iraniane në Irak mbeten të armatosura dhe të gatshme për veprim. SHBA-të kishin frikë nga një skenar i tillë dhe ka tërhequr disa personele të saj nga rajoni. Ndërkohë, në deklaratat publike, Uashingtoni ka paralajmëruar Iranin për pasojat e çdo sulmi ndaj forcave apo qytetarëve amerikanë.

Po nëse një qytetar amerikan do të vritej në Tel Aviv apo gjetkë? Donald Trump, tani president i SHBA-së, mund të detyrohej të ndërhynte. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është akuzuar prej kohësh se kërkon te tërheqë SHBA-të në një luftë kundër Iranit. Vetëm SHBA-të zotërojnë bombat dhe avionët e specializuar për të shkatërruar objektivat më të mbrojtura bërthamore të Iranit, si objekti i Fordow-it.

Trump i ka premtuar bazës së tij se nuk do të nisë më “lufta të pafundme” në Lindjen e Mesme. Por një pjesë e konsiderueshme e republikanëve mbështet Izraelin dhe mendon se tani është momenti për të ndihmuar në ndryshimin e regjimit në Teheran. Nëse SHBA-të përfshihen drejtpërdrejt në luftë, kjo do të përbënte një përshkallëzim të madh me pasoja potencialisht katastrofike.

Vendet e Gjirit përfshihen në konflikt

Nëse Irani nuk arrin të dëmtojë objektivat ushtarake izraelite, ai mund të shënjestrojë objektiva më të pambrojtura në Gjirin Persik, sidomos vende që i konsideron se kanë ndihmuar kundërshtarët e tij ndër vite.

Në rajon ka një numër të madh objektivash strategjikë dhe energjetikë. Kujtohet sulmi ndaj rafinerive të naftës në Arabinë Saudite në vitin 2019 dhe sulmet e Houthive ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe në 2022.

Edhe pse më pas u shënua një afrim diplomatik mes Iranit dhe disa vendeve të Gjirit, këto vende ende kanë baza ushtarake amerikane dhe, në mënyrë diskrete, ndihmuan në mbrojtjen e Izraelit ndaj sulmeve raketore iraniane.

Në rast të një sulmi të tillë, këto vende mund të kërkojnë ndihmë ajrore nga SHBA-të, ashtu si Izraeli.

Izraeli dështon të shkatërrojë kapacitetin bërthamor të Iranit

Po sikur sulmet e Izraelit të mos arrijnë objektivat e tyre? Po sikur objektet bërthamore iraniane të jenë shumë të thella dhe të mbrojtura mirë? Irani zotëron aktualisht rreth 400 kg uranium të pasuruar në nivelin 60%, vetëm një hap larg për ta kthyer në armë bërthamore, sasi që mund të mjaftojë për rreth dhjetë bomba.

Thuhet se ky uranium mund të jetë fshehur në miniera sekrete. Edhe nëse Izraeli ka vrarë shkencëtarë bërthamorë, ai nuk mund të shkatërrojë dijen dhe përvojën e Iranit. Nëse sulmet e Izraelit i bindin udhëheqësit iranianë se mënyra e vetme për t’u mbrojtur është të garojnë me kohën për armë bërthamore, atëherë rreziku rritet ndjeshëm. Një udhëheqje më e re dhe më e papërmbajtur në Teheran mund të nxisë një përplasje të vazhdueshme në rajon.

Izraelitët kanë një shprehje të ashpër për këtë strategji: “kositja e barit”, që nënkupton sulme të përsëritura për të frenuar kërcënimet.

Tronditje në ekonominë globale

Çmimet e naftës janë tashmë në rritje. Po sikur Irani të përpiqet të mbyllë ngushticën e Hormuzit, duke bllokuar lëvizjen e naftës? Po sikur Houthit në Jemen, të vetmit aleatë të mbetur të Iranit, të dyfishojnë përpjekjet për të sulmuar anijet në Detin e Kuq?

Shumë vende në botë tashmë po përballen me krizë të kostos së jetesës. Një rritje e mëtejshme e çmimit të naftës do të përkeqësonte inflacionin në një sistem ekonomik global tashmë të brishtë, veçanërisht për shkak të luftës tregtare të Trump-it. Nga kjo situatë do të përfitonte presidenti rus Vladimir Putin, duke grumbulluar miliarda dollarë nga rritja e çmimit të naftës për të financuar luftën në Ukrainë.

Rrëzimi i regjimit iranian dhe pasojat

Po sikur Izraeli ta realizojë qëllimin e tij afatgjatë dhe ta rrëzojë regjimin revolucionar iranian? Netanyahu pretendon se qëllimi i tij kryesor është të shkatërrojë programin bërthamor iranian, por në deklaratën e tij të fundit ai la të kuptohej se synimi është më i gjerë, ndryshimi i regjimit.

Ai iu drejtua “popullit krenar të Iranit” duke thënë se sulmi i tij po “hap rrugën drejt lirisë” nga ajo që ai e quajti “regjim i lig dhe shtypës”.

Por rrëzimi i një qeverie të fortë qendrore mund të krijojë një vakuum të rrezikshëm. Historia e Irakut dhe Libisë tregon se çfarë mund të ndodhë kur një regjim bie pa një tranzicion të qartë.

Poll

MOS HUMB