
IRAN-Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se vendi i tij nuk do të pranojë thirrjen e Presidentit amerikan Donald Trump për një dorëzim të pakushtëzuar. Deklaratës së SHBA ai iu përgjigj me një kërcënim, teksa tha se nëse sulmojnë, do të "shpërblehen" me dëm të pariparueshëm.
"Kushdo që e njeh Iranin, popullin dhe historinë e tij nuk do t'i drejtohej kurrë këtij kombi me tone kërcënuese, sepse Irani nuk do të dorëzohet. Amerikanët duhet ta dinë se çdo ndërhyrje ushtarake nga ana e tyre padyshim që do të shpërblehet me dëm të pariparueshëm. Ky komb nuk do t'i dorëzohet askujt përballë imponimit. Izraeli ka bërë një gabim të madh dhe do të ndëshkohet", u shpreh Khamenei.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ndodhet në një bunker nëntokësor në zonën Lavizan, në verilindje të Teheranit. Ai u largua disa orë pasi Izraeli nisi sulmet e tij ndaj kryeqytetit iranian.