Bota

Diplomati, oligarku, agjenti i FBI-së: Dosja e Deripaskës dhe McGonigal sërish në lupën e SHBA

Charles McGonigal nuk ishte i vetmi person i implikuar nga autoritetet amerikane në rastin Deripaska.

k.m.
Diplomati, oligarku, agjenti i FBI-së: Dosja e Deripaskës dhe
Charles McGonigal

SHBA- Kur një nga agjentët më të lartë të kundërzbulimit të FBI-së u arrestua në janar 2023 dhe u akuzua për kryerjen e punëve të paligjshme për oligarkun rus të sanksionuar Oleg Deripaska, komuniteti i sigurisë kombëtare të SHBA-së u habit. I pensionuar në atë kohë, Charles McGonigal, i cili e kishte kaluar pjesën e dytë të karrierës së tij duke hetuar spiunë dhe oligarkë rusë, përfundimisht u deklarua fajtor dhe u dënua atë dhjetor me më shumë se 4 vjet burg.

Ai nuk ishte i vetmi person i implikuar nga autoritetet amerikane në rastin Deripaska.

Pas më shumë se 16 muajsh vonesash dhe shtyrjesh, Sergei Shestakov, një ish-diplomat sovjetik rus, amerikan i natyralizuar që më vonë punoi si përkthyes i autorizuar i gjykatës amerikane, do të dalë në gjyq më 17 qershor me akuza të ngjashme me ato me të cilat u përball McGonigal. Ashtu si McGonigal, Shestakov akuzohet se ka ndihmuar Deripaskën të shmangë sanksionet amerikane të vendosura ndaj tij në vitin 2018, si dhe për të kryer pastrim parash. Shestakov, i cili u arrestua në të njëjtën kohë me McGonigal, akuzohet gjithashtu se ka mashtruar agjentët e FBI-së.

Gjyqi dhe debatet ligjore para gjyqit kanë tërhequr më pak vëmendje, kryesisht sepse Shestakov është më pak i njohur se McGonigal. Deri në daljen në pension në vitin 2018 nga zyra e FBI-së në Nju Jork, McGonigal ishte në ballë të përpjekjeve të byrosë për të gjurmuar spiunët dhe oligarkët rusë, përfshirë Deripaskën. Përveçse janë partnerë biznesi, Shestakov dhe McGonigal, së bashku me një burrë tjetër rus, janë të lidhur me një tjetër ish-manjat rus, Vladimir Gusinsky, i cili për shumë vite e kalonte pjesën më të madhe të kohës në një rezidencë në Connecticut.

Gusinsky nuk është implikuar në çështjen penale kundër Shestakov dhe McGonigal. Megjithatë, ai ka tërhequr vëmendjen e FBI-së, me agjentë që kanë marrë dy herë në pyetje gruan e tij (tani janë ndarë) dhe punonjësit e familjes së çiftit në Connecticut. Gusinsky u shoqërua me McGonigal dhe me Shestakov.

Manjatët e metaleve

Sipas dosjeve në një gjykatë federale amerikane në Manhattan, mbrojtja e Shestakov varet pjesërisht nga puna që ai dhe McGonigal bënë ishte në dobi të Deripaskës apo për konglomeratin e tij masiv, EN+ Group, i cili kontrollon një nga kompanitë më të mëdha të aluminit në botë, Rusal. Çelësi i kësaj mbrojtjeje është një punonjës i "EN+", i quajtur Yevgeny Fokin, të cilin FBI e akuzon se është agjent i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë. Avokatja mbrojtëse e Shestakov, Rita Glavin, ka thënë se Fokin mund të ofrojë prova se puna për të cilën Shestakov dhe McGonigal ishin punësuar ishte në emër të EN+ dhe përfshinte lobimin për të ndihmuar në avokimin e kompanive Deripaska, gjë që lejohet sipas ligjit amerikan.

Glavin nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

“Pretendimi se ata po punonin në emër të EN+, dhe jo të Deripaskës, por nuk e kalon 'testin'. Kjo është si të thuash një dallim pa asnjë ndryshim. Me sa duket, ata punonin për njërin prej oligarkëve më famëkeq të prodhuar ndonjëherë në Rusi,”- tha Casey Michel, autor i librit Agjentë të Huaj: Si Lobistët dhe Ligjvënësit Amerikanë Kërcënojnë Demokracinë në Botë.

Prokurorët kanë pohuar se Fokin ishte një "bashkëpunëtor i paakuzuar" me Shestakov dhe McGonigal. FBI-ja e mbikëqyri, fotografoi dhe e regjistroi fshehurazi atë duke filluar nga korriku 2019. Viza e tij amerikane u revokua në vitin 2022 me urdhër të byrosë. Prokurorët janë përleshur me Glavin për shkarkimin e Fokin, i cili jeton në Rusi, ku punon si këshilltar i lartë i Deripaskës në EN+. Ai ka refuzuar të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara për çfarëdo arsye, nga frika e një arrestimi të mundshëm.

Pas negociatave nëse Fokin mund të dëshmonte në Turqi apo në Dubai, të dyja palët ranë dakord që Fokin do të dëshmojë me videokonferencë gjatë gjyqit.

Fokin nuk iu përgjigj emaileve nga Radio Evropa e Lirë që kërkonin koment.

Midis disa qarqeve rusishtfolëse në rajonin e Neë York City, Shestakov njihej si një "zgjidhës problemesh" dhe person simpatik. Pasi kishte punuar për ministritë e jashtme sovjetike dhe ruse, Shestakov u tërhoq në zonën e Neë York-ut në vitin 1993. Në vitet 2010, ai punoi si përkthyes i autorizuar për gjykatat federale amerikane dhe për zyrat e avokatëve amerikanë për Manhattan dhe Brooklyn.

Marrëdhënia e Shestakov me Fokin daton që nga vitet 1980 dhe të dy kanë qenë të punësuar nga Gusinsky. Kohët e fundit, në vitin 2019, Shestakov kishte një kartë krediti në emrin e Gusinsky-t, të cilën e përdorte për të blerë, ndër të tjera, bileta me vlerë mijëra dollarë për ndeshje hokeji.

Gusinsky nuk iu përgjigj emaileve që kërkonin koment.

Sipas aktakuzës, Shestakov e prezantoi McGonigal me Fokin diku rreth vitit 2018. Atë prill, Deripaska u sanksionua nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së. Sanksione u vendosën edhe për EN+ dhe Rusal. Një nga njerëzit më të pasur të Rusisë, Deripaska e krijoi pasurinë e tij në vitet kaotike të viteve 1990, kur biznesmenë të brendshëm luftuan beteja të ashpra dhe shpesh të përgjakshme për kontrollin mbi gjigantët industrialë të vendit, siç është prodhimi i aluminit. Ai konsiderohet një shembull i zakonshëm i një oligarku: një biznesmen me pasuri të madhe që ka gjithashtu lidhje të ngushta me Kremlinin dhe presidetin rus Vladimir Putin.

Ai ka qenë gjithashtu në radarin e zbatimit të ligjit në SHBA për dekada të tëra, duke filluar të paktën që nga viti 2006, kur iu mohua viza për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Vështirësitë me vizën e çuan atë të angazhonte firma lobimi të lidhura me republikanët, dhe në fund të viteve 2010 ai investoi në projekte me Paul Manafort, i cili për një kohë të shkurtër menaxhoi fushatën presidenciale të Presidentit Donald Trump në vitin 2016.

Në shtator të vitit 2022, Deripaska u padit me akuzën se po iu shmangej sanksioneve të SHBA-së. Akuzat përfshijnë pretendimet se ai organizoi udhëtimin e të dashurës së tij shtatzënë në Shtetet e Bashkuara për të lindur, në mënyrë që fëmija i tyre të ishte shtetas amerikan. Sanksionet kundër "EN+ Group" dhe "Rusal" u hoqën në vitin 2019 pasi Deripaska pranoi të distancohej nga pronësia e kompanive. Por ende mbetet i sanksionuar.

Autoritetet amerikane pretendojnë se Fokin punësoi McGonigal dhe Shestakov për të hulumtuar informacione kompromentuese mbi Vladimir Potanin, një tjetër oligark rus dhe manjat metalesh, i cili është rival i Deripaskës. McGonigal, i cili doli në pension nga FBI-ja në fund të vitit 2018, kërkoi gjithashtu të siguronte një stazh për vajzën e Fokin në Departamentin e Policisë së Qytetit të Nju Jorkut, diçka që ngriti dyshime në departament. McGonigal u tha autoriteteve se po përpiqej ta bënte Fokin, një agjente të dyfishtë.

Në fund të nëntorit 2021, agjentët e FBI-së sekuestruan pajisjet elektronike të Shestakov. Ditë më parë, ai u mor në pyetje në lidhje me marrëdhënien e tij me Fokin dhe u pyet nëse kishte bërë ndonjëherë ndonjë biznes me të.

"Jo, asnjë biznes,"- i tha ai FBI-së, sipas dokumenteve të gjykatës./ZËRI

Marrë dhe përkthyer nga REL

Poll

MOS HUMB