
PRISHTINË- Deputetët vazhdojnë të dështojnë ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja. Sikur edhe në vazhdimet e kaluara të seancës konstituive - e cila nisi më 15 prill – deputetët u mblodhën shkurtimisht të premten dhe nuk gjetën zgjidhje për zhbllokimin e ngërçit.
Kjo ishte hera e 31-të që ata mblidhen dhe dështojnë, dhe do të mblidhen përsëri pas 48 orëve, pra të dielën e 15 qershorit.
Dështimi ndodhi një ditë pasi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e shpalosi një agjendë 15-pikëshe për një qeveri të unitetit, duke i ftuar të gjitha partitë parlamentare ta formojnë atë si mënyrë për të dalë nga kriza politike. Propozimi i LDK-së është kundërshtuar menjëherë nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës preferon një ekzekutiv mes partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Një koalicion të tillë e preferon edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, e kundërshtoi përsëri propozimin e LDK-së pas seancës të premten, duke e quajtur “absurditet të llojit të vet”.
“Ne e kemi diskutuar atë plan dhe kemi arritur në përfundim se ai propozim ka vështirësi të patejkalueshme logjike për t’i kuptuar. Si mund të presë Abdixhiku që ne, si VV, mund të pajtohemi për 15 pika kaq të mëdha, kur nuk po pajtohemi për një send më të vogël, që është votimi i një komisioni për votim të fshehtë”, tha Abrashi pas seancës.
“Ne nuk e kuptojmë arsyen e propozimit të një qeverie të unitetit. Me njohuritë tona, propozimet e tilla bëhen në situata të jashtëzakonshme, kur ka rrezik të madh për vendin. Prandaj, pyetja është se ku po e sheh LDK-ja rrezikun për Kosovën?” shtoi ai.
Duke folur para seancës, Fatmir Limaj, kryetari i Nismës Socialdemokrate që i fitoi tre deputetë në një koalicion parazgjedhor me AAK-në, tha se pret që lideri i LDK-së t’ia prezantojë zyrtarisht agjendën e një qeverie të unitetit. I pyetur rreth deklaratave të deputetit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, partia e tij i ka siguruar edhe tri votat të Nismës, Limaj u përgjigj: Jo, nuk i ka askush, përveç marrëveshje politike. Përmes marrëveshjes politike ndërtohen numrat dhe shumica parlamentare. Pa marrëveshje politike nuk mund të ketë zgjidhje. Besoj se do ta gjejmë shpejt.
Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kjo është hera e 23-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozojnë nga një anëtar për formim të komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.
Vetëvendosje, si fituese të zgjedhjeve, i takon të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi, dhe ajo këmbëngul vazhdimisht që Haxhiu është figura e duhur, ndonëse për partitë tjera ajo është e papranueshme dhe konsiderohet figurë përçarëse. Çështja e ndërrimit të mënyrës së votimit – nga të hapur në të fshehtë – është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga parti që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”. Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.
Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë përmendur së fundmi mundësinë që zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare të mbahen njëkohësisht me ato lokale të rregullta, të cilat pritet të shpallen në muajin tetor, si mundësi për zhbllokim të situatës. Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje, e paraqiti e para këtë ide në një takim që ka zhvilluar Osmani javën e kaluar me figura të subjekteve politike në Kosovë, për të diskutuar datën e zgjedhjeve lokale. Megjithatë, Abelard Tahiri, nga Partia Demokratike e Kosovës, tha javën e kaluar se beson që zgjedhjet duhet të mbahen ndaras.
Sipas tij, nëse duhet të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare, kjo duhet të ndodhë më herët, e jo në tetor kur mbahen zgjedhjet e rregullta lokale. Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha javën e kaluar se “mund të ndodhë që të vijmë në një situatë ku zgjedhjet e reja do të jenë zgjidhje”, edhe pse do të ishte “shumë e komplikuar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i organizojë ato së bashku (me lokalet)”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përsëritur më 5 qershor se vonesa në konstituim të Kuvendit dëmton kredibilitetin e institucioneve dhe përparimin e vendit drejt agjendës euroatlantike.
Edhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it [Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës dhe Gjermanisë] si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, janë takuar ditë më parë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, duke kërkuar formim të shpejtë të institucioneve, për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës./REL