
VLORË- 323 banesa dhe 73 biznese janë dëmtuar nga stuhia që pushtoi Vlorën fundjavën që lamë pas, më 4 tetor. Emergjencat civile kanë bërë verifikimet në terren dhe kanë nxjerrë vlerën e dëmeve materiale që ka shkaktuar stuhia dhe prurjet e shiut. Për të gjitha këto dëme, nga Bashkia është vendosur një fond prej 200 mijë eurosh, por nuk dihet nëse do të jetë në gjendje që të mbulojë të gjithë dëmin që i është shkaktuar qytetarëve të Vlorës.
Ardian Vreshtazi, drejtori i emergjencave civile pranë Bashkisë së Vlorës, në një intervistë për Report Tv shprehet se puna vazhdon ende në terren, duke shtuar se pjesa më e prekur e Vlorës është rajoni 5. Më të dëmtuarat ishin lagjia “Karabash" dhe "Kushtrim". Ndërkohë që përveç Emergjencave Civile, në terren për të verifikuar dëmet dhe shkakun e përmbytjes pasi ka pasur akuza se nga autoritetet lokale nuk janë marrë masat e duhura për të përballuar prurjen e shirave. Probleme ka pasur me kanalizimet dhe me hidrovorin e qytetit, i cili në ditën pas shirave doli nga funksioni.
Një nga katër pompat e hidrovorit u dogj dhe u përfshi nga flakët, kështu që u bë e detyrueshme edhe fikja e 3 pompave të tjera që deri në atë moment ishin funksionale. Në këtë situatë, Partia Demokratike e degës së Vlorës gjithashtu ka bërë një kallëzim në Prokurorinë e rrethit lidhur me përmbytjet në qytetin bregdetar prej shirave të 4 tetorit duke pretenduar se nuk ishin marrë masa për të ndihmuar qytetarët./ZËRI