
RUSI- Një gazetare ukrainase ka ndërruar jetë në një qendër paraburgimi në Rusi. The Guardian shkruan se Victoria Roshchyna, e cila do të kishte mbushur 28 vjeç këtë muaj, por tashmë ka ndërruar jetë.
Ajo u zhduk në gusht të vitit të kaluar pasi udhëtoi në Ukrainën Lindore të kontrolluar nga Rusia për një raport për gazetën ku punonte. Deri në prill të vitit 2024, Victoria rezultonte e zhdukur, por babai i saj mori një letër ku shkruhej se e reja po mbahej në paraburgim rus, sipas sindikatës kryesore të gazetarëve të Ukrainës.
Rrethanat e arrestimit të saj nuk u bënë publike dhe nuk ishte e qartë se ku po mbahej brenda Rusisë.
"Fatkeqësisht, informacioni për vdekjen e Victoria është konfirmuar," tha të enjten Petro Yatsenko, një zëdhënës i shtabit të koordinimit të të burgosurve të luftës në Ukrainë. “Është shumë herët për të folur për rrethanat e vdekjes – ne po punojmë për t'i vërtetuar ato”, shtoi ai.
Grupi për të drejtat e shtypit Reporterët pa Kufij tha në mediat sociale se ishte i tronditur nga vdekja e Roshchyna dhe ofroi ngushëllime për të afërmit e saj. Media ruse e lajmeve Mediazona raportoi se ajo kishte vdekur ndërsa po transferohej në Moskë nga një burg në Taganrog, pranë kufirit me Ukrainën.
Mijëra ukrainas që kundërshtojnë sundimin e Moskës janë arrestuar në territoret e pushtuara që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë në vitin 2022, shumë prej të cilëve përballen me tortura nga forcat e sigurisë, sipas grupeve të të drejtave. Ukraina tha në maj, më shumë se dy duzina zyrtarë të medias ukrainase po mbaheshin në robëri ruse dhe se negociatat për kthimin e tyre ishin duke u zhvilluar.
Roshchyna punoi si profesioniste e pavarur për media të ndryshme të pavarura të lajmeve, duke përfshirë Ukrainska Pravda dhe kishte bashkëpunuar me shërbimin ukrainas të medias së financuar nga SHBA, Radio Evropa e Lirë. Në vitin 2022, asaj iu dha çmimi Guximi në Gazetari nga Fondacioni Ndërkombëtar i Medias së Grave për raportimin e saj nga Ukraina Lindore.