TIRANË- Sistemi i ri evropian i kontrollit kufitar EES do të jetë funksional nga 12 tetori, me qëllim monitorimin e qindra miliona njerëzve që hyjnë në Bashkimin Evropian çdo vit. Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, EES do të regjistrojë të dhënat e shtetasve të vendeve të treta që hyjnë në 29 vende evropiane, duke përfshirë të dhëna biometrike si gjurmët e gishtërinjve dhe imazhet e fytyrës.
Sipas KE, EES është një sistem i avancuar IT që do të regjistrojë në mënyrë dixhitale hyrjet dhe daljet e shtetasve, por edhe të dhënat biometrike, të tilla si gjurmët e gishtërinjve, imazhet e fytyrës dhe informacione të tjera udhëtimi. Sistemi EES do të modernizojë dhe përmirësojë menaxhimin e kufijve të jashtëm. Siguria e brendshme do të përmirësohet përmes aksesit në kohë reale në informacion të besueshëm, duke u mundësuar autoriteteve përkatëse kombëtare të identifikojnë shpejt individët që paraqesin një kërcënim për sigurinë.
"Me lançimin e EES në tetor, BE-ja po bën një hap të rëndësishëm drejt arritjes së qëllimit të saj për të krijuar një sistem më të sigurt dhe efikas të menaxhimit të kufijve,"-bëri me dije Komisioni Europian.
Përveç kësaj, me përdorimin në rritje të kontrolleve të automatizuara kufitare, udhëtimi do të bëhet më i lehtë dhe më i sigurt për të gjithë.
Zbatimi i EES fillimisht ishte planifikuar për nëntorin e vitit të kaluar, por u shty pasi disa shtete anëtare nuk ishin teknikisht të gatshme. Përveç kësaj, shumë shoqata të agjentëve të udhëtimit kishin shprehur shqetësime për kaos të mundshëm në aeroporte dhe pika hyrëse nëse masa zbatohej me nxitim.
Por, Komisioni Evropian e përshkroi lançimin e EES si “një hap të rëndësishëm drejt arritjes së një sistemi më të sigurt dhe efikas të menaxhimit të kufijve”./ZËRI
