Bota

Arrestohet “El R1”, urdhëroi vrasjen e influencerses gjatë live-it në TikTok, Valeria ishte e dashura e djalit të tij

Sipas autoriteteve, ai e kishte kërcënuar disa herë të renë dhe më pas i kishte kërkuar të atit të organizonte eliminimin e saj.

F.I
Arrestohet “El R1”, urdhëroi vrasjen e influencerses gjatë
Valeria Márquez dhe 'El R1'

MEKSIKË-Ramón Ángel Álvarez Ayala, i njohur si “El R1” dhe një prej drejtuesve të Kartelit Jalisco New Generation, është arrestuar nga autoritetet meksikane. Ai dyshohet se ka dhënë urdhrin për dy vrasje tronditëse në Meksikë, një prej tyre ajo e influenceres 23-vjeçare Valeria Márquez.

23-vjeçarja u ekzekutua në maj të vitit të kaluar ndërsa transmetonte drejtpërdrejt në TikTok nga salloni i saj i bukurisë në Zapopan, në shtetin Jalisco. Sipas hetimeve, autori, i maskuar si korrier, hyri në ambientet e sallonit, i kërkoi të konfirmonte identitetin dhe më pas e qëlloi dy herë me armë zjarri. Pamjet e rënda u përhapën në rrjete sociale.

Prokuroria pretendon se Márquez kishte pasur një lidhje romantike me Francisco Álvarez, një nga djemtë e “El R1”. Sipas autoriteteve, ai e kishte kërcënuar disa herë të renë dhe më pas i kishte kërkuar të atit të organizonte eliminimin e saj. Djali i tij dhe autori i dyshuar i ekzekutimit vijojnë të jenë në arrati.

Hetuesit e lidhin “El R1” edhe me vrasjen e kryebashkiakut të qytetit Uruapan, Carlos Manzo, e ndodhur në nëntor gjatë festimeve tradicionale të Ditës së të Vdekurve. Manzo ndodhej me familjen në një aktivitet publik kur një adoleshent iu afrua dhe e qëlloi disa herë pas shpine. Atentatori u vra në vend nga truprojat e kryebashkiakut, ndërsa Manzo humbi jetën në spital.

Arrestimi u krye pas disa muajsh hetime dhe një pune intensive të strukturave të inteligjencës. Aksioni përfshiu edhe një ndjekje me automjete në qytetin Atotonilco el Alto. Autoritetet meksikane nuk kanë sqaruar nëse Shtetet e Bashkuara kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në operacion.

Poll

MOS HUMB