
PRISHTINË - Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Zveçla ka treguar prapaskenat e sulmit të rëndë terrorist, të ndodhur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Zveçla u shpreh në një intervistë për “Syri Tv” se Serbia sulmoi qartazi Kosovën. Numri një i Ministrisë së Brendshme të Kosovës deklaroi se luftëtarë të Vagnerit mund të jenë përfshirë në sulm.
“Dyshohet se në këtë rast terrorizmi janë përfshirë rusë nga Rusia. Mund të kenë marrë pjesë dhe luftëtarë të Vagner nga Serbia. Kjo do të thotë se ka pasur vullnetarë nga Serbia që janë bashkuar me Vagner. Shihet qartë se këtu është ‘dora e Rusisë’. Nuk ka nevojë që Rusia të ndërhyjë menjëherë, por me “dorën e vet” të zgjatur mund të ketë ndërhyrë. Duhet thënë se Serbia nuk po fsheh qëllimet e saj. Vuçiç të parin që takoi ishte ambasadori rus në Beograd. Kjo tregon se presidenti serb orienton politikën e tij në Moskë”, tha Zveçla.
Xhelal Zveçla nënvizoi një fakt tjetër, jo pak të rëndësishëm. Ai tha se ushtarët serbë të përfshirë në aktin terrorist kishin uniforma të KFOR-it. Sipas tij, ata mund të kishin veshur uniformat e KFOR dhe nuk do të kuptohej më tej se kush po luftonte e me kë. Për Zveçlën, Beogradi ka menduar në detaj planin ogurzi.
“Serbia kishte përgatitur një plan të qartë. Plani kishte elementë të rrezikshëm. Disa makina që janë futur në Kosovë, kishin 24 armë me silenciatorë. Ushtarët serbë kishin uniforma të KFOR-it dhe nëse do përdornin këto uniforma, mund të arrihej në pikën që nuk dihej se kush e me kë po lufton. Terroristët u ndanë shumë keq, pas reagimit profesional të Policisë së Kosovës. Ata janë dëmtuar rëndë, por dhe i mundur, Aleksandër Vuçiçit nuk i zihet besë asesi”, deklaroi Zveçla.
Më tej, Zveçla u shpreh se hetimi nga Serbia i Milan Radoiçiç është një lojë. Ai shprehet se Vuçiç dhe Radoiçiç janë njerëz me shumë pushtet në Serbi, që në këtë moment mund të jenë dhe duke shantazhuar njëri-tjetrin.
“Lidhja e Vuçiç dhe e Radoiçiç është e fortë. Radoiçiç është person i përfshirë me skenën politiko-kriminale të Serbisë. Hetimi ndaj Radoiçiç është një farsë, sepse ai është një njeri i fuqishëm, që di shumë. Vuçiç dhe Radoiçiç janë duke shantazhuar njëri-tjetrin. Serbia do vazhdojë me këtë politikë, derisa shoqëria serbe të reagojë. Serbia është burim i trazirave dhe konflikteve. Por, Kosova është një shtet i pavarur dhe Policia e Kosovës është organizatë, që mbron shtetin e vet”, u shpreh Zveçla.