Video

ZËRI hap dyert e kopshtit të "ferrit", si u dhunua 3-vjeçarja që kur prindërit ia besuan "STINËVE"

Zëri.ai ka siguruar dhe disa video që tregojnë se edukatorja Majlinda Dehima (Lina) nuk ka një qasje aspak miqësore kundrejt fëmijëve.

F.m
ZËRI hap dyert e kopshtit të "ferrit", si u dhunua
Majlinda Dehima dhe vajza e dhunuar

TIRANË- Kopshti “Stinët” i kishte dyert e hapura edhe sot, gjashtë ditë pasi në dhomën ku fëmijët duhet të bëjnë gjumin e mesditës, iu thye këmba një prej vogëlusheve, kujdesi i të cilës, i është besuar këtij institucioni. Zëri.ai ishte sot brenda ambienteve të kopshtit, ku sapo u përpoqëm të kërkonim një prononcim nga edukatoret dhe administratoret e “Stinët”, na u mbyll dera.

“Një sekond, do presësh pak,”- ishin fjalët që na u thanë dhe më pas duke pritur, personi me të cilin u gjendëm përballë ishte djali i administratores. I ri në dukje, djali i administratores Entela Danushi këmbënguli në faktin që e ëma nuk prononcohej për arsye shëndetësore dhe për faktin se po e përjetonte mjaft keq dhunimin e vajzës 3-vjeçare që sot dergjet me këmbë të thyer në spital.

Të riut iu bashkangjit dhe babai që i qëndroi të njëjtit version, përsa i përket heshtjes së drejtueses së këtij institucioni, por edhe duke dhënë versionin e tyre mbi ngjarjen.

“Lina nuk është më në punë, ngjarja ka ndodhur në datën 1 dhe edukatorja është larguar. Ka qenë një gabim, neglizhencë dhe dhunë nga ana e edukatores. Ne kemi kamera kudo dhe monitorojmë gjithçka, qëllimi ynë është zbardhja e kësaj ngjarjeje. Nuk i kemi borxh askujt. Ky është një rast i izoluar dhe nuk na ka ndodhur kurrë më parë. Prononcimin e plotë, preferojmë ta japim në prokurori,”- ishin fjalët e thëna prej tyre, në mënyrë të përmbledhur.

Pas kësaj, djali dhe babai zbritën shkallët dhe u përballën me efektivë të forcave të rendit. Dyert e kopshtit u mbyllën dhe ata prindër që kishin sjellë fëmijët si çdo ditë, u larguan bashkë me ta, edhe pse jo të kënaqur.

Zëri.ai ka siguruar dhe disa video që tregojnë se edukatorja Majlinda Dehima (Lina) ka një qasje aspak miqësore kundrejt fëmijëve. Në njërën prej tyre, ajo qëllon karrigen me vizore, në një tjetër e kap vajzën nga krahu, ndërsa në momentin që ndodhet pranë shtratit të vajzës, e vogla nis të qajë.

Ajo që konstatohet nga pamjet është shumë e paqartë, por administratorët e kopshtit ‘Stinët’ pretendojnë se edukatorja e ka tërhequr nga këmba, dhe ky ka qenë momenti kur ka ndodhur dhe thyerja. Ata këmbëngulin se lajmërimi i prindit është bërë në çast.

Tashmë rasti po hetohet dhe është në duart e prokurorisë, por përfundimi është: Një fëmijë i trembur, i dhunuar psikologjikisht dhe me këmbë të thyer që ka nevojë për drejtësi!

A është heshtja e administratores zgjidhja? 6 ditë pasi ngjarja kishte ndodhur, vetëm sot u bë e mundur mbyllja e këtij kopshti. Përgjigjia ndaj prindërve që u besojnë gjakun e tyre çdo ditë, është minimumi i detyrimit që ka ky institucion!

Poll

MOS HUMB