
TIRANË- Zbardhen detaje nga vetëvrasja e efektives 21-vjeçare, Aldorjana Loshi, e cila i mori jetën vetes pasditen e djeshme në banesën e saj në zonën e Ali Demit, ku jetonte me nënën dhe vëllanë. E reja kishte vetëm pak muaj që kishte nisur një lidhje dashurie me djalin e një kolegut të saj, me të njëjtin punonte në Komisariatin nr.5. Por mes saj dhe të dashurit kishte nisur një konflikt. Efektivja pas një bisede më të riun, i ka treguar këtij të fundit se nëse do të vinte në banesë, derën do ta gjente të hapur.
“Kur të vish derën po ta lë të hapur, Zoti të ruajt,"- i ka shkruar ajo gjatë një debati. Mesazhi ka shqetësuar të riun, i cili ka shkuar në banesën e saj, duke e gjetur të vdekur me një plumb në zemër.
Ashtu siç rrëfen vetë Endri Nika, 28 vjeç, pasi ka parë të dashurën pa jetë, në gjendje të rënduar psikologjike ka marrë telefonin e saj dhe ka fshirë bisedat që kishin zhvilluar së bashku dhe më pas ka njoftuar Policinë e Shtetit. Por nuk i ka pritur në banesë, por është larguar. Ndaj për shkak se ka fshirë mesazhet, ai është vendosur në pranga pasi akuzohet për pengimin e zbulimit të së vërtetës.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, ku në rrugën “Todi Shkurti”, është vetëvrarë me armën e shërbimit shtetasja A. L., 21 vjeçe, punonjëse policie pranë Komisariatit të Policisë Nr. 5, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, arrestuan shtetasin E. N., 28 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme ka shkuar në banesën e shtetases A. L., dhe pasi ka njoftuar Policinë për ngjarjen e ndodhur, ka fshirë mesazhet me shtetasen A. L., në telefonin e saj,”-njofton Policia.
Me të marrë njoftimin se e reja me origjinë nga Klosi i Mirditës kishte ndërruar jetë, efektivët e Policisë kanë kërkuar ndihmën e forcave zjarrfikëse për të hapur derën e banesës së saj pasi 28-vjeçari e kishte mbyllur pasi ishte larguar.
Aldorjana Loshi jetonte në rrugën “Ali Demi” në Tiranë dhe prej një viti e gjysmë punonte në komisariatin nr.5, si patrullë e përgjithshme. Efektivja nuk e kishte babanë dhe jetonte me nënën dhe një vëlla më të vogël. Ende nuk dihet shkaku i vërtetë se përse ajo i mori jke jetën vetes pasi sipas kolegëve të saj, e reja nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim ose shenjë që kishte probleme aq sa mund t'i merrte jetën vetes. Por për të zbardhur gjithë misterin, një grup hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes./ZËRI