Aktualitet

Zjarri në 'Metropol' në Lushnje, Prokuroria e Fierit nis hetimet, çfarë i shkaktoi flakët

Deri më tani, paraprakisht mendohet se zjarri ka nisur nga një shkëndijë elektrike në një prej dyqaneve të qendrës.

k.m.
Zjarri në 'Metropol' në Lushnje, Prokuroria e Fierit nis
Pamje nga zjarri

LUSHNJE- Prokuroria e Fierit ka nisur një procedim lidhur me zjarrin që shkumboi katet e fundit të qendrës tregtare “Metropol Center”. Sipas njoftimit të bërë zyrtarisht nga Prokuroria, për të zbardhur shkakun e zjarrit është ngritur grupi hetimor i përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme që kanë nisur nga puna për të zbuluar shkakun e rënies së zjarrit dhe vatrës fillestare.

"Prokuroria Fier është plotësisht e angazhuar për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarje me pasoja të konsiderueshme për pronën, shëndetin dhe sigurinë e shtetasve,"-shkruhet ndër të tjera në njoftim. Ndërkohë që deri më tani, paraprakisht mendohet se zjarri ka nisur nga një shkëndijë elektrike në një prej dyqaneve të qendrës. Megjithatë fjalën e fundit pritet që ta thotë Prokuroria.

NJOFTIMI I PLOTË:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier informon publikun se për ngjarjen e ndodhur në qendrën tregëtare “Metropol Center”, lagjia “Çlirimi”, Lushnjë, ka regjistruar procedimin penal nr. 1846/2023, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal.

Prokurorja e gatshme ka shkuar menjëherë në vendngjarje ku dhe janë kryer veprimet e para hetimore. Është ngritur grupi hetimor i përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme dhe grup oficerësh të policisë gjyqësore nën drejtimin e Prokurores. Hetimet po kryhen në bashkëpunim të plotë me shërbimet e policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit. Me administrimin e akteve proceduriale dhe akteve të ekspertimit do të konkludohet mbi shkakun e rënies së zjarrit dhe vatrës fillestare. Prokuroria Fier është plotësisht e angazhuar për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarje me pasoja të konsiderueshme për pronën, shëndetin dhe sigurinë e shtetasve.

Zjarri i aktivizuar pasditen e datës 25 dhjetor u shua pas 10 orësh luftë me flakët. Kati i katërt u shkatërrua totalisht, por fatmirësisht nuk ka asnjë person të lënduar nga zjarri. Ndërsa 20 familje që jetonin në pallatin 12-katësh do të akomodohen në konvikte dhe banesa me qira./ZËRI

Poll

MOS HUMB