TIRANË- Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 5 prej tyre vijojnë të jenë aktive.
Sipas ministrisë, situata më e vështirë vijon të mbetet në Dajt, ku vatrat janë riaktivizuar në dy anët e malit. Për shuarjen e flakëve në këtë zonë, përveç forcave operacionale tokësore, në ndihmë kanë ardhur edhe 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor.
Përveç Dajtit, vatrat aktive vijojnë të jenë edhe në Dibër dhe Elbasan, të cilat nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara dhe po mbahen nën monitorim. Situata paraqitet më e përmirësuar në Pukë, ku nuk ka më vatra aktive.
Gjatë 24 orëve të fundit, në betejën me flakët janë angazhuar 219 forca operacionale dhe 35 automjete zjarrfikëse, 60 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor.
NJOFTIMI I MINISTRISË SË MBROJTJES:
Ministria e Mbrojtjes - informim mbi situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit
Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje.
Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar në total 219 forca operacionale dhe 35 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 60 efektivë, 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor.
Fokusi kryesor mbetet në Malin e Dajtit, ku vatrat vijojnë aktive pas disa riaktivizimeve në të dyja anët e kreshtës. Operacioni vijon edhe sot, me përforcim prej 50 efektivësh të FA-së; gjatë operacionit janë angazhuar gjithashtu forca zjarrfikëse dhe të ADZM-së, ndërsa mbështetja ajrore është realizuar me 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun Dibër mbeten aktive dy vatra: në Ballenjë–Kostenjë, ku sot vijon angazhimi me 6 forca të AZM Dibër, dhe në Qafë të Helmës, Bulqizë, e cila vijon të monitorohet. Në të dyja rastet nuk raportohen rreziqe për zonat e banuara.
Në qarkun Elbasan vijojnë aktive vatrat në Malin e Dardhës, Librazhd, ku ka pasur riaktivizim dhe në terren ndodhen efektivë të MZSH Librazhd, si dhe në Malin e Qukësit, Prrenjas, ku është raportuar gjithashtu riaktivizim. Nuk rrezikohen zona të banuara.
Situata paraqitet më e përmirësuar në Pukë, ku në Gjegjan, Gojan i Vogël, Gojan i Madh, Prozhëm dhe Tërbun nuk ka më vatra aktive; zonat vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve./ZËRI