
VLORË- Një banesë në Vlorë është përfshirë nga flakët në lagjen '28 Nëntori'. Raportohet se si pasojë e flakëve që përfshinë shtëpinë ka humbur jetën 74-vjeçari, Guri Resulaj. I moshuari ka ndërruar jetë si pasojë e djegieve të shumta në trup. Resulaj ndodhej në banesën e motrës së tij, e cila u përfshi nga flakët. 74-vjeçari nuk ka mundur të dalë nga banesa, pasi kishte probleme me shëndetin dhe nuk lëvizte dot.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 18:00, në lagjen “28 Nëntori”, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën e shtetases S. Zh., ku si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara nga flakët, ka humbur jetën, brenda në banesë, vëllai i saj shtetasi G. R., 74 vjeç, (tetraplegjik).
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.
Policia dhe shërbimet zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje, ndërsa po punohet për shuarjen e zjarrit. Dyshohet se shkak për flakët të jetë bërë një shkëndijë elektrike./ZËRI