VLORË- Një incident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në kantierin e ndërtimit të një resorti turistik në zonën e Hidrovorit të Akërnisë. Sipas burimeve, një person ende i paidentifikuar ka hyrë në kantier dhe ka përdorur lëndë djegëse, duke ndezur një skrep dhe disa mjete të tjera të punës. Njëri prej skrepave është shkrumbuar pothuajse plotësisht, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve ka pësuar dëmtime më të vogla.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa mjetet e tjera kanë pësuar dëmtime më të lehta.
Ndërkohë, raportohet se zjarrfikësit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë neutralizuar flakët, ndërsa Policia ka nisur hetimet për të identifikuar autorin dhe për të kuptuar motivin e incidentit. Paraprakisht, dyshohet se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.
Kjo ngjarje vjen vetëm pak ditë pas protesta të banorëve dhe aktivistëve mjedisorë, të cilët kanë kundërshtuar ndërtimin e resortit në këtë zonë të mbrojtur, duke e konsideruar si një pasuri natyrore me rëndësi ekologjike. Policia po vijon hetimet për të zbuluar shkakun e saktë dhe për të përcaktuar nëse ngjarja ka lidhje me tensionet përreth investimit.