
KAPSHTICË- Gjatë 24 orëve në pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Qafë Thanës ka patur fluks të shtuar të shtetasve shqiptarë si në hyrje ashtu edhe në dalje. Nga shifrat e mbledhura, raportohet se 8800 shtetas kanë kaluar në datën 3 Gusht pranë kësaj pike të kalimit kufitar. Mësohet se numri më i lartë i shtetasve të cilët kanë kaluar nëpërmjet kësaj dogane ka qenë në hyrje të vendit, më konkretisht 5214 persona.
Për të përballuar fluksin, autoritetet doganore në disa raste kanë punuar dhe me procedurë të përshpejtuar, që nënkupton se numri i kalimtarëve mund të jetë edhe më i lartë.
Sipas burimeve, nuk përjashtohet që kjo rritje e hyrjeve drejt Shqipërisë lidhet edhe me zgjedhjet vendore të pjesshme në Himarë ku qytetarë me dokumenta greke dhe shqiptare shkojnë për te votuar. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit në doganën e Kapshticës brenda 5 ditësh kanë qarkulluar më tepër se 35 mijë shtetas./ZËRI/