
TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga grupi i trafikimit të armëve drej Britanisë së Madhe. Gjykata e Posaçme u caktoi masën e sigurimit “arrest në burg” për tre të arrestuarit, Adulla Hoxhaj, Bojken Turtulli dhe Rifat Avdiaj. Ndërkohë vijon puna për kapjen e tre personave të tjerë të ndodhur në arrati.
Roli i Adulla Hoxhaj, Bojken Turtulli dhe Rifat Avdiaj
Burime për Klan News kanë bërë me dije se Abdulla Hoxha merrej me sigurimin e armëve ose pjesëve të tyre dhe municionin luftarak. Ndërsa Bojken Turtuli kishte rolin e transportuesit të armëve drejt Anglisë për llogari të tre personave të shpallur në kërkim. Rifat Avdija ishte administrator i fabrikës ku prodhoheshin mobiljet.
Skema e grupit
Gjatë kohës kur orenditë shtëpiake si tavolina dhe kolltuqe prodhoheshin atyre ju bëheshin edhe sirtare apo vende shtesë brenda të cilëve futeshin armë ose pjesë të tyre për t’i dërguar me furgona në Britaninë e Madhe. Madje në një raste sipas hetimeve rezulton që të jenë përdorur edhe çifteli për të bërë trafikun e municionit.
Porositës të armëve sipas hetimeve të SPAK rezultojnë që të jenë 3 personat e shpallur në kërkim nga drejtësia jonë me masë sigurimi “arrest në burg” në mungesë. Grupi hetimor ka dyshime se ato jetojnë në Angli dhe se armët u duheshin për ngjarje kriminale.
Gjatë operacionit të koduar “INKORPORIMI” janë sekuestruar një arsenal armësh i përbërë nga 25 armë zjarri (24 pistoleta dhe 1 kallashnikov), qindra fishekë, lazera që i montohen armëve speciale dhe shërbejnë për qitje në distancë, dhe pajisje optike. Po ashtu janë gjetur veshje kamuflazhi si ato të forcave speciale, 4 automjete, 8 celularë, karta SIM, 2 laptopë dhe 2 armë të ftohta (thika). /ZËRI