BELGJIKË - Gjyqi i ashtuquajtur 'Encro' që përfshin 129 të pandehur filloi më datë 18 dhjetor në Bruksel dhe pritet të zgjasë deri në pesë muaj. Gjyqi më i madh korrektues ndonjëherë në Belgjikë do të fillonte të hënën më 6 nëntor, por u shty.
Akuzat për të pandehurit kanë të bëjnë me trafikun e drogës, konkretisht importimi i kokainës nga Amerika e Jugut dhe kanabisi nga Maroku. 129 të pandehurit janë në gjyq: 124 njerëz, katër kompani dhe një person i panjohur, që gjykata nuk mund ta identifikonte për momentin. Rreth 40 nga të pandehurit tashmë janë në paraburgim, të akuzuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, trafik droge dhe armë, përpjekje për zhvatje, e paraburgim arbitrar.
Zbërthimi i bandës, që kishte për synim trafikun e lëndëve narkotike filloi me informacionet e mbledhura nga policia franceze dhe holandeze, pas deshifrimit të rrjetit të komunikimit Encrochat. Kjo u plotësua më pas me informacione nga hetimi i madh i Sky ECC. Në shkurt dhe mars 2021, autoritetet zbërthyen aplikacionin e koduar, duke rezultuar në një goditje të paparë për botën e krimit të organizuar.

Hetimet rezultuan në çmontimin e nëntë laboratorëve të drogës, si dhe zbulimin e fuçive dhe vazove të mbushura me kimikate ose mbeturina të drogës, tavolina dhe tas plot me pluhur të bardhë, fletore me shënime të shkruara se si të drejtoni një laborator të tillë, armë, grumbuj të parave të gatshme e kështu me radhë. Sipas hetimit, organizata ishte përgjegjëse për marrjen e mallrave, nxjerrjen e tyre dhe ripaketimin në laboratorët belg, para se t'i dërgonte me kontejner ose avion privat në vendet e tjera evropiane.
Bandat po përballen gjithashtu me akuza për zhvatje, rrëmbim, trafik të armëve, falsifikim dhe pastrim parash.
Çfarë do të presim nga gjyqi
Hetimi voluminoz për organizatën ka përfunduar dhe gjyqi, i cili premton të jetë një tjetër sukses i drejtësisë, mund të fillojë. Çështja gjyqësore do të dëgjohet në kompleksin Justitia në Haren, ku vetëm tre muaj më parë u zhvillua një gjyq tjetër: gjyqi për sulmet terroriste të vitit 2016 në Belgjikë. Belgët, shqiptarët, kolumbianët, algjerianët dhe francezët, ndër të tjera, do të përballen me gjykatën. Sipas VRT NWS, çështja përfshin disa banda të ndryshme, të gjitha të lidhura së bashku me mesazhet e tyre të koduara, së pari përmes Encrochat, pastaj Sky ECC.

Sidoqoftë, nën akuzë është gjithashtu një inspektor policie nga Zona e Jugut në Bruksel, i cili dyshohet se dha informacione nga bazat e të dhënave të policisë dhe kështu shkeli sekretin e tij profesional. Hetimi i Sky ECC shpejt e bëri të qartë se njerëz me funksione të ndryshme ishin korruptuar, pasi bandat shfrytëzuan gjithashtu punëtorët e portit dhe avokatët.
Për shkak se shumë nga të pandehurit tashmë janë në burgje të shpërndara nëpër Belgjikë, ata do të duhet të transferohen në gjykatë. Pritet të zhvillohen rreth tre seanca dëgjimore në javë./ZËRI/