
ATHINË – Mediat greke kanë publikuar ditën e sotme foton e shqiptarit të arrestuar, Emiliano Jakupi, 33 vjeç, që dyshohet se ka qëlluar mbi 3 grekët në Athinë. Jakupi ishte person i shpallur në kërkim edhe për vrasjen e 40-vjeçarit nga Delvina, Pëllumb Islami, ngjarje që ka ndodhur më 21 shkurt 2023 në Nea Ionia të kryeqytetit helen.
Kur u pyet për ngjarjen e mbrëmshme, Jakupi ka thënë se ishte një sherr rruge dhe nuk priste që gjithçka të degradonte në atë mënyrë. “Ishte një sherr rruge. Unë godita me pëllëmbë njërin nga 3 personat. Nuk e prisja që miku im Nardi Idrizi të godiste me armë”, ka thënë Jakupi. Ai ka shtuar në deklaratën e tij se pas të shtënave me armë është trembur dhe se së bashku me mikun e tij është larguar me automjet.
Duke folur për Kathimerini, avokatja e 33-vjeçarit, Matina Markou, ka mohuar çdo përfshirje në ngjarje të klientit të saj. Sipas Markou, i pandehuri ka pasur një marrëdhënie miqësore me agresorin gjatë shtatë muajve të fundit. Të premten në mbrëmje, ata u shoqëruan së bashku, fillimisht në periferinë veriore të Athinës, Vrilissia, ku ndodhej mjeti i tyre dhe më vonë në Gazi për argëtim. Teksa dilnin nga një klub nate, automjeti i tyre ra në një gropë, duke rezultuar në spërkatjen me ujë mbi viktimat e sulmit.
Ky incident shkaktoi një konfrontim. Njëri prej të plagosurve ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Markou pretendon se klienti i saj nuk ishte në dijeni të sulmit, aq më tepër se miku i tij mbante një armë dhe kërkoi që ai të distancohej nga sulmi.
Avokatja pohoi më tej se 33-vjeçari nuk ka kryer krime dhe nuk ka lidhje me ndonjë rrjet të ‘botës së krimit’, ndryshe nga raportimet që qarkulluan gjatë 24 orëve të fundit. Ndërkohë, sipas informacioneve, i arrestuari dyshohet se ka njoftuar policinë se njërin nga tre viktimat e ka goditur vetë me shuplakë, por ka shtuar se nuk e ka parashikuar që i shpalluri në kërkim të nxjerrë armën dhe ta përdorë atë. Ndryshe nga se tha avokatja e Emiliano Jakupit, ka dyshime që ky i fundit të ketë lidhje me disa krime të ndodhura në vendin fqinj./ZËRI/