
TIRANË- Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se në kuadër të megaoperacionit që po zhvillohet në të gjithë vendin, pas dëshmisë së Artan Tafanit, që ka zbardhur 6 vrasje, është ndaluar dhe Klea Gjata, e dashura e Laert Haxhiut.
Ndalimi i saj është bërë me urdhër të prokurorisë së Elbasanit, ndërkohë që mbetet e paqartë nëse ka pasur rol aktiv në ndonjë prej krimeve të ndodhura.
Zëri.ai mëson se asaj i janë marrë shenjat e gishtave, dhe pritet që policia në konferencën për shtyp që është lajmëruar në orën 10:00 të japë më shumë informacion në lidhje me rolin e saj.
12 personat e arrestuar
Artan Tafani
Erisian Abedini, 32 vjeç
Lulzim Spahia ose Arapi
Ligor Lomaçka, aktualisht në burg
Bledar Berberi
Mariglen Topuzi
Bujar Abedini
Enriko Xhahysa
Klea Gjata
Idriz Mane, aktualisht në burg në Korçë
Fatjon Veliu
Leart Haxhiu, aktualisht ne burg në Greqi
Në kërkim
Lorenc Lala
Firdeus Berberi, 22 vjeç
Kristi Bizheku, 28-vjeç
Në një megaoperacion që është zhvilluar që mbrëmjen e djeshme, Policia ka kryer disa arrestime në qytete të ndryshme të vendit, ndërkohë që në total janë lëshuar 15 urdhërarreste.
I riu Artan Tafani, i shpallur në kërkim për grabitjen e një biznesi në Tiranë është bërë i penduar i drejtësisë, ndërkohë që operacioni për kapjen e tij është kryer disa javë më parë në Lushnje, dhe është mbajtur i fshehtë pikërisht pasi hetuesit kanë kërkuar që ai të rrëfente bashkëpunëtorët.
Deri në mëngjesin e sotëm janë ekzekutuar 12 nga 15 urdhërarreste të lëshuara, ndërkohë që janë zbardhur 6 vrasje të ndodhura në harkun kohor të 5 viteve të fundit. Bëhet fjalë për vrasje të ndodhura në Korçë, Tepelenë, Elbasan, Peqin, dhe dy të tjera në Greqi, ku dyshohet se ka shtrirë veprimtarinë grupi i Laert Haxhiut.
Ky i fundit ka një dënim të mëparshëm me 18 vite burg nga Gjykata e Posaçme, por i ka shpëtuar deri tani përballjes me drejtësinë shqiptare, pasi Greqia refuzoi ekstradimin e tij pas arrestimit në Janinë. Aktualisht ai ndodhet në burg në Greqi, pasi në momentin e arrestimin shkaktoi një aksident me makinë./Zëri.ai