
TIRANË- Një grabitje e një Exchange në Tiranë, në dukje një ngjarje rutinore, ka sjellë zbardhjen e 6 vrasjeve të ndodhura në Shqipëri dhe Greqi si dhe ngjarje të tjera kriminale, përfshirë shpërthime me tritol dhe rrëmbime. I riu Artan Tafani është bërë i penduar i drejtësisë, ndërkohë që operacioni për kapjen e tij është kryer disa javë më parë në Lushnje, dhe është mbajtur i fshehtë pikërisht pasi hetuesit kanë kërkuar që ai të rrëfente bashkëpunëtorët.
Deri në mëngjesin e sotëm, burime bëjnë me dije për Zëri.ai se janë ekzekutuar 12 nga 15 urdhërarreste të lëshuara, ndërkohë që janë zbardhur 6 vrasje të ndodhura në harkun kohor të 5 viteve të fundit. Bëhet fjalë për vrasje të ndodhura në Korçë, Tepelenë, Elbasan, Peqin, dhe dy të tjera në Greqi, ku dyshohet se ka shtrirë veprimtarinë grupi i Laert Haxhiut. Ky i fundit ka një dënim të mëparshëm me 18 vite burg nga Gjykata e Posaçme, por i ka shpëtuar deri tani përballjes me drejtësinë shqiptare, pasi Greqia refuzoi ekstradimin e tij pas arrestimit në Janinë. Aktualisht ai ndodhet në burg në Greqi, pasi në momentin e arrestimin shkaktoi një aksident me makinë.
Haxhiu akuzohet se ka qenë i përfshirë në masakrën e Lushnjes ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ngjarje për të cilën janë dënuar me burgim të përjetshëm Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi. Haxhiu ka pasur një përplasje të vazhdueshme me bandën e Aldo Bares, konflikt nga i cili numërohen dhjetëra të vrarë. Vetëm 6 janë zbardhur nga i penduari Tafani!
Zëri.ai sjell 6 vrasjet e zbardhura, që dyshohet se janë kryer pikërisht nga grupi i Haxhiut ku bënte pjesë edhe i penduari i drejtësisë Tafani. Ky i fundit njësoj si Nuredin Dumani më herët, ka hapur “petët e lakrorit” të disa vrasjeve që kanë marrë edhe vëmendje mediatike, edhe pse në kosto duket se kanë qenë më të lira, se ato që u zbuluan në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”. Për vrasjet e mëposhtme, dyshohet se janë paguar shumë deri në 50 mijë euro!
Fridmand Xhaferraj Korçë, u vra dhe u hodh në rezervuar në verën e vitit 2021. 25-vjeçari Fridman Xhaferri, banues në fshatin Plug të Lushnjës, u gjet i vdekur në një rezervuar në Korçë, me plagë të mëdha në kokë. Për ngjarjen është arrestuar shtetasi Kristi Bixheku, ndërkohë që policia shpalli në kërkim Lulzim Spahinë. Bixheku nuk e pranoi asnjëherë krimin, ndërkohë që ngjarja dyshohej për prishjen e pazareve të drogës. U
Çajup Selimi në Tepelenë! Çajup Selimi, 52-vjeç u ekzekutua po në të njëjtën periudhë kohe me Xhaferrajn. Ai u qëllua dy herë, ku një plumb e kapi në zemër, në afërsi të banesës së tij. Ngjarja edhe pse kishin kaluar dy vite rezultonte e pazbardhur.
Alban Semaku alias Elton Mermali, u vra në Peqin! Alban Semaku njihej në qytetin e Lushnjes si "Kinezi i Aldo Bares". Pasi nuk ishte kthyer në banesë, nëna e tij e kishte kërkuar në Policinë e Shtetit, por në fakt i gjeti vetëm kufomën të birit. Ai u ekzekutua në Peqin, më 17 tetor të vitit 2021, duke rindezur edhe njëherë përplasjet në bandën e Lushnjes. Alban Semaku, gjithashtu i njohur me emrin tjetër Elton Mermali, vrau Bledar Haxhiun, të afërmit e Laertit.
Albi Bashaliu Elbasan! Vrasja ndodhi në fund të Dhjetorit të vitit 2021, ndërs asokohe për ngjarjen u arrestua edhe djali i xhaxhait të viktimës, i cili dyshohet se kishte ndihmuar autorët që të largoheshin pas vrasjes. 41 vjeç u arrestua së bashku me fqinjin e tij Mikel Xhaja 30 vjeç, ndërsa akuza për të dy ishte ajo e përkrahjes së autorit të krimit.
Lulzim Qorri dhe Dikens Halili në Greqi. Qorri është vrarë në qendër të Athinës në Dhjetor të vitit 2018, ndërkohë që ngjarja u raportua nga mediat e vendit fqinj si një përplasje për çështje droge.
Qorri, asokohe 44 vjeç, u qëllua me armë në kokë nga një person që u largua më pas me motoçikletë, së bashku me një person tjetër. Dikens Halili u vra po në Athinë, ndërkohë që ishte pronar i një lokali ku përformohej edhe muzikë live nga këngëtarë shqiptarë.
39-vjeçari shqiptar u qëllua nga një burrë i maskuar dhe me kapele, i cili iu afrua pronarit në këmbë që ishte jashtë kafenesë dhe po bisedonte me klientët. Për të dyja vrasjet e ndodhura në Greqi nuk kishte pasur persona të vënë në pranga.
Në lidhje me operacionin, Policia e Shtetit ka paralajmëruar një konferencë për mediat në orën 10, ku pritet që të jepen dhe detaje në lidhje me personat e arrestuar.
“Në orën 10 në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp mes Policisë dhe Prokorurisë së Elbasanit, në lidhje me një megaoperacion”, njofton Policia.
12 personat e arrestuar
Artan Tafani
Erisian Abedini, 32 vjeç
Lulzim Spahia ose Arapi
Ligor Lomaçka, aktualisht në burg
Bledar Berberi
Mariglen Topuzi
Bujar Abedini
Enriko Xhahysa
Klea Gjata
Idriz Mane, aktualisht në burg në Korçë
Fatjon Veliu
Leart Haxhiu, aktualisht ne burg në Greqi
Në kërkim
Lorenc Lala
Firdeus Berberi, 22 vjeç
Kristi Bizheku, 28-vjeç
/Zëri.ai