
DUKAGJIN - Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim katër persona, që dyshohet se janë përfshirë në atentatin e mbrëmshëm në Dukagjin, ku u vra Zef Guri dhe u plagos rëndë djali i tij, Gjin Guri.
Efektivët kanë shpaallur në kërkim shtetasit Martin Qershija, Edmond Nika, Kujtim Dholla, Çesk Serraj.
Katër të rinjtë dyshohet se janë autorë ose bashkëpunëtorë në ngjarjen e rëndë të ndodhur në vendin re quajtur Mali i Shoshit në Dukagjin, dje rreth orës 18:30 minuta.
Për të katërt rëndojnë 2 vepra penale "Vrasje me paramendim" e kryer në bashkepunim dhe "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit”. Policia është vënë në kërkim për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Shënjestër në këtë atentat dyshohet se ka qenë shtetasi Gjin Guri, 46 vjeç. Shkak mund të jenë bërë konfliktet e vjetra ose mbjellja e lëndëve narkotike në këtë zonë.
Gjin Guri është emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi më herët është dënuar me mbi 7 vite burg për kanosje, armëmbajtje pa leje dhe kultivim të lëndëve narkotike.
Më 2015, u arrestua, sepse qëlloi me armë zjarri në drejtim të policisë, pasi po ruante arat me kanabis. Ndërsa, më 2021, në lokalin në pronësi të tij në fshatin Shosh, është vendosur tritol. Gjin Guri mori katër plumba në këtë atentat dhe u soll tek Trauma. Policia njoftoi për ngjarjen.
“Rreth orës 18:45, në sallën operative të Policisë Shkodër ka ardhur një telefonatë se në malin e Shoshit, ishin plagosur me armë zjarri shtetasit Gj. G. dhe Z. G.
Shtetasi Gj. G. po transportohet në spital, për ndihmë mjekësore, ndërsa shtetasi Z. G. ka humbur jetën disa minuta pasi ka ndodhur ngjarja.
Shërbimet e Policisë, së bashku me grupin hetimor, janë nisur menjëherë për në vendngjarje, por për shkak të largësisë dhe të terrenit të vështirë nuk kanë mbërritur akoma. Shërbimet dhe grupi hetimor janë në vendngjarje dhe po sqarohen rrethanat e ngjarjes”, njoftoi policia./Zëri.ai/