
KORÇË- Zbardhet dhunimi i 81-vjeçarit Gaqo Tili në Korçë. Raportohet se ai është konfliktuar me një person tjetër me të cilin po konsumonte alkool. Në gjendje të dehur ata kanë pasur një debat verbal, i cili më pas ka eskaluar në dhunë fizike. Ndërkohë autrori Gëzim Agollari është vënë në pranga nga Policia. Në momentin e arrestimit dhe ai ka qenë i lënduar, por pa rrezik për jetën. Në dëshminë e tij, ai ka deklaruar se ka mik Tilin, por pasi kanë pirë alkool janë konfliktuar pa ndonjë shkak. I plagoisuri dhe autori janë thuajse të njëjtën moshë.

Fillimisht ngjarja u raportua si grabitje me dhunë. I moshuari u gjet i gjakosur nga fqinjtë, të cilët më pas lajmëruan Policinë. Referuar dëshmisë së fqinjës, dera e banesës së të moshuarit ishte e hapur dhe kur ka hyrë brenda e ka gjetur të shtrirë në tokë dhe të mbuluar nga gjaku.
Sipas saj, çdo cep i shtëpisë ishte me gjak, ndërsa mendonte se Tili kishte vdekur. Më pas ajo ka lajmëruar fqinjën tjetër. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes, por ishte e paqartë dinamika, pasi dhe gjendja e të moshuarit është e rëndë duke e bërë të pamundur marrjen e tij në pyetje.
Fqinja: Ishte i shtrirë, i mbytur në gjak. Ne e lajmëruam policinë bashkë me komshijen. Jam në të njëjtin kat me zotërinë, por nuk dëgjuam asnjë gjë. Nuk ishte njeri që pinte, vetëm për qejfin e tij shumë pak. Nuk dilte nëpër lokale dhe shoqërohej vetëm me të pallatit. Jetonte vetëm, gruaja i ka vdekur dhe nuk ka asnjë fëmijë dhe asnjë njeri tjetër. Një motër e kishte të moshuar, më të madhe se veten e tij. Ishte i gjakosur në të gjithë trupin nga fytyra e poshtë. Në mëngjes pas orës 7:00 vjen komshija dhe na troket në mur me shumë shpejtësi. Dal unë dhe më thotë hajde se ka vdekur Gaqoja. Dera ishte e hapur, kur e shohim ishte i tëri i shtrirë, i mbuluar nga gjaku dhe kaq. Lajmëruam ambulancën. Hymë brenda dhe shtëpia ishte shumë rrëmujë dhe me gjak në të gjitha anët. Zotëria rënkonte. Morëm edhe ambulancën dhe spitalin. Tani na thanë që është rëndë në spital.
Sherri i Tilit me autorin, tashmë të vënë në pranga dyshohet se ka ndodhur jashtë pallatit, pasi kudo ka gjurmë gjaku derisa i moshuari ka hyrë në banesë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Korçë/Zbardhet ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen nr.15, ku në banesën e tij, u gjet i dëmtuar me sende të forta, një 81-vjeçar. Policia identifikon, kap dhe arreston në flagrancë autorin e dyshuar të ngjarjes. Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e sotme, në lidhje me ngjarjen ku në lagjen nr. 15, Korçë, në banesën e tij u gjet i dëmtuar me sende të forta shtetasi G. T., 81 vjeç, ju informojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj personit të DVP Korçë, në drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të kësaj ngjarjeje, bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi:
-G. A., 72 vjeç, banues në Korçë.
Nga veprimet e kryera rezulton se ky shtetas ka qenë së bashku me shtetasin G. T., në banesën e këtij të fundit, ku dyshohet se në gjendje të dehur e ka goditur 81-vjeçarin me sende të forta. Shtetasi G. T., vijon të ndodhet në spitalin e Korçës në kujdesin e mjekëve. Materialet proçedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”./ZËRI