TIRANË- Biznesmeni kosovar Xhevdet Rexhepi ka zgjeruar praninë e tij në tregun shqiptar të supermarketeve, duke përfunduar blerjen e rrjetit Eco Market, i cili deri më tani ishte në pronësi të Armand dhe Agron Dukës. Transaksioni është miratuar nga Autoriteti i Konkurrencës, duke i hapur rrugë kalimit të aksioneve të shoqërisë D & D Distribution, që administronte rrjetin e marketeve. Vlera financiare e marrëveshjes nuk është bërë publike.
Eco Market operon me 16 supermarkete në Tiranë, Durrës dhe Fier, ndërsa sipas të dhënave financiare, kompania ka realizuar vitin e kaluar rreth 25 milionë euro xhiro. Kjo është blerja e dytë e rëndësishme e Rexhepit në sektorin e shitjes me pakicë në Shqipëri. Një vit më parë ai mori në pronësi edhe rrjetin SPAR, duke forcuar më tej pozicionin e tij në tregun e supermarketeve në vend./ZËRI