FIER- Situata nga zjarret në Peshtan të Vogël të Fierit vijon të mbetet kritike, ndërsa banorët përshkruajnë orë të vështira mes evakuimeve dhe dëmeve të mëdha në ullishtet e tyre. Sipas banorëve, flakët po afrohen pranë banesave, ndërsa qindra rrënjë ullinj, shumë prej tyre në prodhim, rrezikojnë të shkatërrohen. Disa prej familjeve janë larguar nga zona për shkak të rrezikut të shtuar.
Një banor tregoi se kishte nxjerrë familjen në një vend të sigurt, ndërsa shprehu shqetësimin për pasurinë e tij. "I largova prindërit nga fshati. Rrezikohen shtëpitë dhe rreth 700 rrënjë ullinj. Nuk kemi marrë asnjëherë dëmshpërblim dhe ndihma ka munguar," tha ai.
Gjithashtu edhe një banor tjetër foli për humbjet që po pëson komuniteti, duke theksuar se një pjesë e madhe e ullinjve të tij janë djegur dhe se frika kryesore mbetet përhapja e flakëve drejt banesave. "Mbi 250 ullinj janë në rrezik, ndërsa po të kalojë zjarri më tej, situata do të bëhet edhe më e rëndë," u shpreh ai.
Ndërkohë, autoritetet dhe ekipet zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen në terren për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur zonat e banuara./ZËRI