Aktualitet

Flakët nuk ndalen në Radostinë, flet banori i zonës: Ishte një helikopter, u dogjën lopët edhe banesat (VIDEO)

Edhe pse ndërhyrja e ekipeve në terren ka arritur të frenojë zjarrin në disa sektorë, banorët thonë se rreziku nuk ka kaluar ende

M.K.
Flakët nuk ndalen në Radostinë, flet banori i zonës: Ishte
foto

FIER- Situata nga zjarri në Levan të Fierit mbetet kritike, ndërsa flakët vazhdojnë të përhapen të favorizuara nga era, duke shkaktuar dëme në banesa, bagëti dhe prona të tjera të banorëve.

Edhe pse ndërhyrja e ekipeve në terren ka arritur të frenojë zjarrin në disa sektorë, banorët thonë se rreziku nuk ka kaluar ende. Sipas tyre, ndërhyrja nga ajri është ndërprerë pasi helikopteri nuk mundi të vijonte operacionin. "E ka kaluar atë që ra në orën 10 në mëngjes. I mbaroi benzina helikopterit," u shpreh një banor.

Në terren, një tjetër shqetësim mbetet mungesa e burimeve për shuarjen e flakëve. "Me kaq zjarrfikëse sa janë këtu, mbaroi uji, uji s'ka," tha ai, duke theksuar vështirësitë me të cilat po përballen ekipet.

Dëshmitë nga zona flasin për pasoja të rënda materiale, ndërsa disa familje janë detyruar të largohen nga banesat për shkak të rrezikut. "Çfarë ullinjsh, u dogjën lopët, u dogj shtëpia, u dogjën kafshët," tregoi një prej banorëve, duke përshkruar dëmet e shkaktuara nga flakët.

Ndërkohë, zjarri po lëviz drejt zonave të tjera, duke shtuar frikën se mund të përfshijë edhe lagje të tjera. "Rrezikohen të tjera tani, po shkon drejt lagjes së romëve," tha një tjetër banor.

Banorët kërkojnë shtimin e forcave dhe mjeteve zjarrfikëse nga qarqe të tjera, pasi vlerësojnë se kapacitetet aktuale nuk mjaftojnë për përmasat e emergjencës. "Duhet të vijnë nga e gjithë Republika zjarrfikësit, se po s'erdhën është problem. Gjithë kjo natë, era siç e shikon favorizon shumë," u shpreh një banor, duke shtuar se një situatë e tillë nuk ishte përjetuar më parë në zonë.

Autoritetet dhe shërbimet zjarrfikëse vijojnë operacionin në terren për të izoluar vatrat aktive dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit./ZËRI

Poll

MOS HUMB