Aktualitet

VV-Ramës: Mos i trego Kosovës se çfarë duhet të bëjë

Vetëvendosje shprehet se Rama ka propozuar një dëshirë të hershme të presidentit serb Vuçiç

D.XH
VV-Ramës: Mos i trego Kosovës se çfarë duhet të
Kurti dhe Rama

PRISHTINË - Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar gjatë ditës së sotme, në lidhje me propozimet që ka bërë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me situatën në veriun e Kosovës.

LVV ka kërkuar që Rama të mos i tregojë Prishtinës se çfarë duhet të bëjë për ngjarjen e rëndë të 24 shtatorit, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. VV e akuzon Ramën se koordinon me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj deklaratave të Ramës, duke thënë se atë që sot kryeministri i Shqipërisë po e propozon, dikur e kishte si frikën e tij më të madhe. Sipas Haxhiut, Rama nuk po bën tjetër gjë, përpos se po parashtron një kërkesë të kahershme të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës.” - kështu paska deklaruar sot Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë. Tre muaj më parë, saktësisht me 19 qershor, këtë qëndrim të tanishëm KM Rama e thoshte me brengë, si diçka që ka rrezik se mund të ngjajë, e jo si diç që duhet të bëhet! Në fakt, kjo kërkesë e re e tij nga një brengë e vjetër që besonim se e kishte është veçse kërkesë e stërvjetruar e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Kosova është Republikë e pavarur dhe sovrane. Mbikqyrja ndërkombëtare e pavarësisë ka përfunduar më 10 shtator 2012. Në veri të Kosovës, terroristët dhe kriminelët nga Serbia vranë rreshterin e Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku në pritë në ora 3 pas mesnate të dielen që shkoi. Gjatë luftimeve të mëpastajme, ata nuk kishin kurrfarë shansi me Policinë e Kosovës. Së paku tre terroristë u vranë, kurse të tjerët ose janë arrestuar (gjashtë persona) ose janë në ndjekje (sepse janë në ikje). Nuk ka nevojë që KFOR-i ta marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Ajo që nevojitet janë patrullimet e përbashkëta të Policisë së Kosovës me KFOR-in përgjatë kufirit me Serbinë, sepse prej andej vjen armatimi, municioni dhe mercenarët që duan luftë.

Republika e Kosovës dhe NATO janë partnerë strategjik dhe i shërbejnë të njëjtit qëllim e botëkuptim të sigurisë së demokracive. KFOR-i dhe Policia e Republikës natyrshëm janë një familje dhe bashkërisht e në koordinim do i zmbrapsin qëllimet për destabilizim të Republikës sonë të gatuara në Moskë e Beograd. E falenderojmë Shqipërinë dhe shqiptarët për mbështetje e solidaritet”, shkruan Haxhiu.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një konferencë për mediat tha se KFOR duhet ta marrë nën kontroll situatën në veriun e Kosovës. Sipas Ramës, nëse KFOR nuk ndërhyn në veri, ekzistojnë një sërë rreziqesh për Kosovën.

“KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë. E kam bërë edhe në samitin e NATO-s. Dhe e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse. Tani, çdo hezitim dhe çdo vonesë, deri dhe me argumentin e orëve të fundit – jo kemi, jo s’kemi mjaftueshëm trupat – mund ta bëjë larg qoftë ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it shumë më t’madhe në trupa po dhe në vështirësi.” – tha Rama./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB