MITROVICË – Policia e Kosovës ka nisur një aksion të gjerë në veriun e Kosovës gjatë ditës së sotme, që ka lidhje me sulmin terrorist të ndodhur në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Autoritetet e Kosovës tashmë kanë shtrirë hetimet më gjerë dhe po hetojnë më tepër në lidhje me personat e përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe po hetojnë çdo paligjshmëri të grupeve kriminale që veprojnë në veri.
Policia e Kosovës ka shkuar e armatosur në restorantin në pronësi të gruas së Milan Radoiçiç. Një automjet me targa të Serbisë, që ndodhej pranë restorantit të Radoiçiç, u sekuestrua nga organet kompetente. Mediat e Kosovës kanë publikuar edhe momente kur policia bastis restorantin e personit, që besohet se ishte ‘njeriu kyç’ në sulmin terrorist të 24 shtatorit.
Përfundon aksioni i Policisë së Kosovës
Ka përfunduar aksioni i Policisë së Kosovës në disa vendndodhje në pjesën veriore të vendit. Aksioni ka lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku u vra polici Afrim Bunjaku. Zv drejtori i Policisë së Kosovës për Veriun, Veton Elshani ka thënë për mediat se bastisja në pesë vendndodhje ka përfunduar.

“Ka përfunduar bastisja në pesë vendndodhje. Janë bërë kontrolle në restorant Gray në pronësi të Ema Radoiçiç, bashkëshorte e Milan Radoiçiç, person që dyshohet se ka marrë pjesë në sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës. Në garazhin e lokalit, janë sekuestruar disa makina. Dy prej makinave janë me targa të Beogradit, ndërsa njëra nuk ka targë”, tha Elshani.
Mediat kanë thënë se në duart e policëve të Kosovës janë parë dhe disa qese letre, që nuk janë saktësuar se çfarë janë.

Prokurori: Aksioni kryesisht në pronat e Radoiçiç
Prokurori special Naim Abazi ka deklaruar se aksioni i Policisë së Kosovës është përqendruar kryesisht në pronat e të dyshuarit kryesor për sulm të armatosur më 24 shtator, Milan Radoiçiç.
Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, Abazi tha se aksioni është bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale e me urdhër të gjykatës kompetente. “Ky aksion është bërë me urdhër të Gjykatës, me kërkesë të kësaj Prokurorie në pesë vendndodhje të ndyshme në komunat e pjesës veriore të Kosovës. Kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të të dyshuarit Milan Radojiçiç, ndërsa sa i përket rezultateve ose gjërat që kemi gjetur në këto vendndodhje, provat qoftë ato materiale dhe ato sendeve të cilat ne konsiderojmë të sekuestrohen do t’ju njoftojmë me kohë pëmes një deklarate nga zëdhënësësit e kësaj Prokurorie”, tha Abazi.
Abazi deklaroi se janë duke u evidentuar pronat, që i përkasin të dyshuarit Radoiçiç, që mund të jenë vënë në mënyrë të paligjshme dhe që mund të jenë në pronësi të tij ose që i ka transferuar si pronësi në emër të personave të tretë.
“Gjithçka që i përket operacionit dhe çështjeve të realizimit sa i përket kësaj urdhërese është përkujdesur Policia e Kosovës me detaje. Ne jemi ende duke evidentuar pronat të cilat dyshohet se kanë qenë në emër të tij apo personave të tretë ku ai ka transferuar këto prona”, tha Abazi.
Radoiçiçit mund t’i sekuestrohet dhe vila në Ujman
Nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiç është vërtetë në telashe. Pasi ndodhet në probleme të mëdha me drejtësinë për rolin e tij në sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, atij mund ‘t’i rrëshqasë nga duart’ edhe pasuria, që dyshohet se e ka vënë në mënyrë të paligjshme.

Policia e Kosovës ka mbërritur në vilën e Radoiçiç dhe e ka rrethuar atë. Prokuroria Speciale ka thënë se po hetohen prona të nënkryetarit të Listës Serbe dhe atij mund t’i sekuestrohet një lokal dhe vila. Mediat kanë publikuar edhe foto të policisë pranë vilës së Radoiçiç.
Lista Serbe akuzon Kurtin, KFOR-in dhe EULEX-in
Lista Serbe ka dalë me një deklaratë në lidhje me bastisjet që Policia e Kosovës po kryen në veriun e vendit, teksa ‘të shënjestruara’ kanë qenë pronat e Milan Radoiçiç, person që dyshohet se ka marrë pjesë në sulmin terrorist kundër Policisë së Kosovës. Lista Serbe ka akuzuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, se po shfrytëzon situatën për të kryer aktivitete antiserbe. Sipas partisë kryesore të serbevë të Kosovës, nga kontrollet e autoriteteve të Prishtinës, janë tmerruar banorët lokalë.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, njësitet speciale të Kurtit, të cilat janë të pranishme ilegalisht në veri të Kosovës dhe Metohisë, hynë brutalisht në Qendrën Spitalore Klinike në Mitrovicë dhe me atë rast rrënuan disa nga dhomat me forcë dhe brutalitet të tepruar, ka penguar punën e punonjësve shëndetësorë dhe ka frikësuar pacientët që po i nënshtrohen trajtimit spitalor në këtë institucion.
Paralelisht me këtë bastisje, një bastisje brutale është bërë edhe në disa objekte private në veri të Kosovës dhe Metohisë dhe ne ende jemi duke mbledhur të dhëna për këto bastisje. Gjatë këtij aksioni brutal të forcave speciale të Kurtit është bllokuar rruga që të çon në kopshtin e fëmijëve, përkatësisht në institucionin parashkollor “Danica Jaramaz” dhe shkollën fillore “Sveti Sava”.
Mësuesit dhe edukatorët nuk mund të shkonin në vendet e tyre të punës, fëmijët ishin të tmerruar dhe prindërit e shqetësuar nuk lejoheshin t’i çonin fëmijët e tyre në kopsht ose në klasa. Është e qartë se regjimi i Kurtit tani po i shfrytëzon ngjarjet tragjike nga Banjska për të justifikuar të gjitha aktivitetet antiserbe në Kosovë dhe Metohi, si dhe për të vazhduar keqtrajtimin e mëtejshëm të qytetarëve tanë”, njoftoi Lista Serbe.
Po ashtu, Lista Serbe ka hedhur akuza në drejtim të EULEX dhe të KFOR-it. Lista Serbe thotë se EULEX ka ndjekur sjellet “abuzive” të autoriteve të Prishtinës nga larg dhe se KFOR nuk ka qenë i pranishëm në terren.
Duhet të theksohet se anëtarët e EULEX-it i kanë ndjekur të gjitha këto inkursione brutale nga një distancë prej dhjetëra metrash, absolutisht të painteresuar për të parandaluar keqtrajtimin e popullit serb apo për t’u përfshirë aktivisht dhe për të parandaluar veprimet ilegale të slautëve të Kurtit. Gjatë kësaj sjelljeje të paqytetëruar nuk kishte asnjë pjesëtar të KFOR-it”, përfundon njoftimi. /Zëri.ai/