
ITALI- Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e Dritan Idrizit në Itali. 39-vjeçari u vra me thikë në zemër tre ditë më parë, 7 gusht, në Itali. Autor i dyshuar i vrasjes është shqiptari Artur Cerria, 37 vjeç, i cili është arrestuar. Të arrestuar janë edhe Gili Quedari, 28 vjeç, mik i viktimës, si dhe Admir Shoshari, 54 vjeç, daja i viktimës. Avokati i autorit, Matteo Mattioli thotë se klienti i tij është i tronditur, raportojnë mediat italiane.
“E gjeta të tronditur, nuk e dinte se e kishte vrarë. Klienti im thotë se ai e goditi në bark, ai as nuk e dinte se e kishte vrarë. Ai mbrojti familjen dhe veten e tij nga një sulm brutal. Kemi të bëjmë me vetëmbrojtje”-shpjegon avokati.
Si ndodhi ngjarja
Ai ka rrëfyer dhe ka bashkëpunuar me hetuesit. Cerria kishte marrë një telefonatë nga djali i tij 18-vjeçar duke e njoftuar se disa njerëz e prisnin. Gruaja u përpoq t’i qetësonte por u sulmua me shkop. Kur mbërriti, pa Idrizin që nxirrte diçka nga rripi i pantallonave: ishte një çekiç, por mendoi se ishte armë, kështu që mori thikën dhe e goditi. Edhe Cerria ka mbetur i plagosur pasi u godit me çekiç mes shpatullës dhe qafës si dhe në pjesën e pasme të kokës. Djali, i cili u përpoq të mbronte nënën gjithashtu u godit. I mbushur me gjak, i frikësuar për veten dhe gjithë familjen, ka lajmëruar policinë. Po ashtu ai rrëfen se djali dëgjoi dikë nga grupi i Idrizit të thoshte “Vritini të gjithë”.
Viktima Dritan Idrizi, së bashku me Gili Quedari, 28 vjeç dhe dajën e tij Admir Shoshari, 54 vjeç, shkuan në fermën ku banonte Cerria. Të tre ishin të pajisur me shkopinj hekuri dhe pasoi një përplasje e dhunshme. Më pas Cerria dyshohet se mori thikën dhe e goditi tre herë bashkatdhetarin e tij. Njëra nga goditjet, ajo në zemër rezultoi fatale./ZËRI