
MAIDSTONE – Shpendi Hakili, 38 vjeç, shqiptar nga Shqipëria, u burgos sot, pasi u shpall fajtor për vrasje nga pakujdesia, pas një gjyqi të mbajtur ndaj tij në Gjykatën e Maidstone.
Hakili akuzohet se i ka shkaktuar vdekjen Sazan Bakos, që kishte qenë një mik i tij, në Cuxton Road, Strood rreth orës 20:45 të datës 20 nëntor 2022. Bako, që kishte jetuar në Maidstone, ishte përfshirë në një debat me Hakilin. Përplasja e dhunshme rezultoi me humbjen e jetës së Sazan Bakos.
Dhuna e ushtruar ka bërë që 35-vjeçari Bako të bjerë mbrapsht dhe të përplaset me kokë në trotuar. Ai vdiq në spital tre javë më vonë. Pas incidentit, oficerët nga Drejtoria e Krimeve të Rënda të Kent dhe Essex nisën një hetim dhe fillimisht arrestuan dy persona, në lidhje me ngjarjen. Por, nuk u gjetën prova se dy të dyshuarit ishin të përfshirë në ngjarje, prandaj u liruan.
Detektivët vazhduan hetimet dhe në mars 2023, shqiptari Hakili, dikur banues në Strood, u arrestua në Francë. Kur u arrestua, ndaj tij u ngrit akuza e vrasjes nga pakujdesia.
Oficeri hetues, Adam Marshall i Drejtorisë së Krimeve të Rënda të Kent dhe Essex tha: “Një person ndërroi jetë, në një akt agresioni të çastit. Ai mund të mos ketë pasur qëllim të vrasë dikë, por duhet të vuajë dënimin me burg, sepse askush të drejtë të marrë jetën e dikujt”.
Oficeri tha se hetuesit punuan shumë për të bërë që Hakili të dërgohet përpara drejtësisë. Përfundimisht, Shpendi Hakili u dënua 6 vite e 6 muaj burg për vrasje nga pakujdesia./Zëri.ai/