
MILANO – Rigels Gjinaj, 34-vjeçari që mbrëmjen e 16 shtatorit të vitit të kaluar qëlloi për vdekje Emanuel Rrokun në një lokal në Turbigo (në qytetin e Milanos) me pistoletën Beretta 6.75, rrezikon burgimin e përjetshëm.
Prokurori publik Ciro Caramore kërkoi dënimin maksimal për të, atë me burgim të përjetshëm.
Rindërtimi i skenës së vrasjes
Mbrëmjen e 16 shtatorit 2022 Rroku ishte ulur në tavolinat e jashtme të një lokali përgjatë Via Allea Comunale në Turbigo.
Gjatë kohës së qëndrimit në lokal, ka lindur një debat me Rigelsin, i cili kulmoi kur 34-vjeçari shqiptar nxori pistoletën gjysmë automatike dhe qëlloi të paktën tre herë. Një plumb goditi bashkatdhetarin e tij 23-vjeçar dhe dy të tjerët plagosën një djalë 20-vjeçar.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, brenda lokalit një burrë kishte goditur një grua. Disa nga të pranishmit ndërhynë për ta ndaluar burrin, ndërsa Rigelsi ndërhyri për të mbrojtur mikun e tij nga turma.
Gjatë sherrit, një breshëri plumbash të shkrepur nga arma e 34-vjeçarit ka goditur Rrokun në arterien karotide. 23-vjeçari ka ndërruar jetë pak pasi ka mbërritur në spitalin e Legnano-s, ndërsa 34-vjeçari është shtruar për disa kohë në Gallarate, për shkak të rrahjeve që ka pësuar atë mbrëmje.
Raporti balistik
Muajt e fundit pikërisht në atë lokal është bërë ekzaminimi balistik. Prokuroria e Parmës rindërtoi skenën, për të përcaktuar nëse ishte apo jo një vrasje me dashje. Nga ekspertiza konstatohet se gjuajtja vdekjeprurëse ishte nga një distancë prej 25 deri në 45 centimetra, ka goditur këmishën e Rrokut dhe është devijuar drejt qafës së tij.
“Nuk doja të vrisja njeri, do të doja të kthehesha dhe të fshija gjithë këtë dhimbje”, deklaroi Rigelsi, i cili përfundoi në burg për vrasje.
Avokati i tij kërkoi gjykim të shkurtuar, të cilën prokurori përgjegjës për hetimin Caramore e kundërshtoi, duke kundërshtuar rrethanën rënduese. Prokuroria Publike i kërkoi Gjykatës së Asizes së Busto Arsizio dënimin me burgim të përjetshëm për 34-vjeçarin./Zëri.ai/