
VOLOS – Një krim i tmerrshëm tronditi Volosin, teksa protagonistë ishin shqiptarët. Fatmir Tarellari vrau Erjon Pelivanin, pasi vajza i kishte treguar se Pelivani e kishte përdhunuar që në moshën 9-vjeçare. Pas ngjarjes së rëndë, gruaja e Tarellarit ka folur për mediat greke. Ajo tha se Tarellari nuk ishte njeri i mirë, nuk e beson se vëllai i saj ka përdhunuar vajzën e tij dhe se nuk do t’i shkojë as në burg.
“Ai nuk ishte njeri i mirë. Nuk ishte as baba i mirë. Një baba i mirë duhet të kujdeset për fëmijët dhe jo t’i lërë në gjendje të mjeruar. Ish-gruaja e tij ka vdekur në një aksident në Athinë. U përpoqa si njerkë që të rris fëmijët e tij, por ai shkatërroi gjithçka. Nuk do t’i shkoj as në burg. Thjesht nuk e besoj se është e vërtetë që im vëlla të ketë bërë atë gjë që ai thotë. Ligji vendos për gjithçka dhe nuk duhet të veprojmë siç ne mendojmë”, ka thënë gruaja.
Të kundërtën thonë banorët e fshatit Argallasti. Ata shprehen se 50-vjeçari ishte një njeri i qetë, punëtor dhe familjar. Në selinë e Bashkisë së Pelionit Jugor, në fshatin Argallasti, babai 50-vjeçar jetonte e punonte dhe vendosi të bëjë “drejtësi”, kur fëmija i tregoi për përdhunimin nga ana e 33-vjeçarit. Banorët në fshat e tregojnë 50-vjeçarin si një njeri që kujdesej për familjen e tij, që asnjëherë nuk i kishte munguar rroga për t’u kujdesur për fëmijët.
I pajisur me armë zjarri, 50-vjeçari mori në makinë kunatin e tij dhe në aksin që lidh Volosin me fabrikën e çimentos, në një shesh të izoluar, fiku makinën dhe qëlloi viktimën në fytyrë duke e lënë të vdekur në vend. Ishte një plumb që i mori jetën në vend 33-vjeçarit Erjon Pelivani. Më pas 50-vjeçari ka telefonuar autoritetet dhe ka treguar krimin që kishte kryer. Ndërkohë, oficerët pasi shkuan në vendngjarje, gjetën trupin e pajetë të të riut me plagë në fytyrë. Marrja në pyetje e vajzës pritet që të hedhë më shumë dritë mbi ngjarjen e rëndë. Vajza i ka thënë babait të saj, që ishte përdhunuar që prej moshës 9-vjeçare./ZËRI/