Aktualitet

Vrasja e turistit në Ksamil/ Zbardhen dëshmitë e çiftit turk: Sokratin e futa në bagazh

Ndërkohë, Ezgi Parlak ka dhënë një tjetër version për momentin kur mësoi se Vata ndodhej në bagazhin e automjetit.

M.K.
Vrasja e turistit në Ksamil/ Zbardhen dëshmitë e çiftit
PAMJE KUR SOKRAT VATA KAPET NGA POLICIA

SARANDË- Detaje të reja janë zbardhur nga dëshmitë e personave të marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendez në Ksamil. Në dosjen hetimore janë përfshirë edhe dëshmitë e dy shtetasve turq, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Parlak, të cilët ndodhen në masën e sigurisë “arrest në burg”. Dyshohet se ata kanë ndihmuar Sokrat Vatën të largohej pas ngjarjes, ndërsa Vata u gjet i fshehur në bagazhin e automjetit me të cilin po udhëtonin drejt Tiranës.

Nuh Mahmutoglu ka deklaruar se ishte telefonuar nga Sokrat Vata, i cili i kishte thënë se kishte pësuar një aksident. Kur shkoi ta takonte, Vata i kishte treguar se ishte përfshirë në një konflikt.

Sipas dëshmisë, ata kanë diskutuar për situatën dhe më pas kanë vendosur të largoheshin nga zona, pa i treguar të dashurës së Nuhut se Sokrati ndodhej në automjet.

Sokratin e futa në bagazh të makinës dhe gjatë rrugës për në Tiranë na ka kapur policia”, ka deklaruar Nuh Mahmutoglu.

Ndërkohë, Ezgi Parlak ka dhënë një tjetër version për momentin kur mësoi se Vata ndodhej në bagazhin e automjetit.

Parlak ka deklaruar se Nuh Mahmutoglu e kishte njohur gjatë pushimeve në Shqipëri, përmes Instagramit, pasi ai merrej me dhënien e makinave me qira. Sipas saj, gjatë udhëtimit drejt Tiranës ajo nuk kishte dijeni se Sokrat Vata ndodhej në automjet. Parlak ka treguar se, pak para se të ndaloheshin nga policia, dikush telefonoi Nuhun dhe i tha: “Shiko se ke polici përpara”.

Në atë moment, sipas dëshmisë së saj, Nuhu i ka treguar se Sokrati ndodhej në bagazh.

Gjithahshtu nr dosje është përfshirë edhe dëshmia e Florian Cetinës, i cili ka treguar versionin e tij mbi nisjen e konfliktit në ambientet e “Principotes”.

Cetina ka deklaruar se kishte parë shokun e tij, Tourpal, duke folur me zë të lartë. Në atë moment, sipas tij, është afruar një person me flokë kaçurrela, i cili i ka kërkuar Tourpalit të ulte zërin. Sipas dëshmisë, situata është përshkallëzuar më pas në konflikt fizik, ndërsa në përleshje janë përfshirë edhe persona të tjerë, përfshirë punonjës të barit “Principotes”.

Cetina ka deklaruar se gjatë konfliktit ka parë shokun e tij, Luis Miguel Varela Mendez, me këmishën e gjakosur, ndërsa personat që e kishin goditur janë larguar me vrap në drejtim të lokalit.

Në lidhje me personin që, sipas tij, goditi me thikë Luis Miguel Varela Mendez, Cetina ka deklaruar se bëhej fjalë për një person me flokë të gjata dhe veshje të bardhë. Ai ka sqaruar se këtë person e ka identifikuar përmes fotografive./ZËRI

Poll

MOS HUMB