
MEMALIAJ- Kur kanë kaluar 24 orët e para pas vrasjes së trefishtë në Memaliaj, policia nuk ka asnjë të dyshuar kryesor, pavarësisht kontrolleve që janë ushtruar në disa qytete të vendit, dhe personave të shoqëruar. Më shumë se 20 persona janë shoqëruar nga policia, por pa rezultat, ndërsa autorët e atentatit të trefishtë dyshohet të kenë qenë vrasës me pagesë.
Të gjithë drejtuesit e policisë së shtetit janë instaluar në Gjirokastër, megjithatë kontrollet kanë përfunduar pa asnjë rezultat konkret. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n, se përveç zonave kufitare me Memaliajn, policia ka ushtruar kontrolle edhe në Tiranë, Vlorë, Elbasan, Lezhë dhe Shkodër.
Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Memaliaj, ku mbetë të vrarë, Shyqyri Kalemi, babai i Adriatik Kalemit, Marsel Çela, klient në lokal, dhe kamarieri Gledi Muka, një makinë u gjet e djegur në zonën e Memaliajt. Mjeti BMË dyshohet se u përdor nga autorët, ishte me targa gjermane, ndërsa të djegura u gjetën dhe 3 armë.
Policia i ka sekuestruar ato dhe është vënë në lëvizje për sigurimin e të tjera detajeve që do t’i çonin në identifikimin e autorëve, që dyshohet se mund të jenë vrasës me pagesë. Ndërkohë autoritetet tona janë vënë në kontakt edhe me ato gjermane, pas gjetjes së targave të makinës së djegur, për të marrë më tepër informacione.
Vrasja e trefishtë, që u mori jetën dhe dy personave të pafajshëm dhe që nuk ishin objektiv, dyshohet se vjen si pjesë e sagës së hakmarrjes ndaj Andrea Kalemit, djalit të viktimës Shyqo Kalemi. Ai është i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor të 2022, që më parë gjatë 2022 dyshohet se kishte eliminuar me eksploziv Aleksandër Sadikajn. Ky i fundit është i afërm me familjen Kalemi.
Policia vendore, por edhe ajo e përgjithshme nuk kanë bërë asnjë deklaratë në lidhje me ecurinë e hetimeve, ndërkohë që gjatë ditës së djeshme, ministri i brendshëm Taulant Balla, tha se vrasja dyshohet se lidhet me krime të vjetra të ndodhura në qytet./ZËRI