
MILANO- “Unë dhe gruaja ime u zgjuam sepse dëgjuam zhurmë. Më dukej sikur ishim në perëndimin e egër, në fillim mendova se ishin fishekzjarre, pastaj kuptova se ishin armë zjarri. U ktheva me vrap në banesë,"-kështu e ka përjetuar një fqinj i ëalter Budrit ngjarjen e të premtes mbrëma. Shqiptari Dritan Hakaj, 45 vjeç u vra me armë zjarri nga fqinji i tij, 78-vjeçari Budri pasi ky i fundit dyshonte se i riu kishte marrëdhënie me bashkëshorten e tij.
Mediat italiane kanë zbuluar më shumë detaje lidhur me ngjarjen, duke marrë edhe dëshmitë e fqinjëve që kanë përjetuar momentet e tmerrit.
“Sigurisht që nuk është qetësuese të dish se jetoja pranë dikujt që kishte armë zjarri,"-tha një tjetër banor i zonës.
Duket se nuk ishte hera e parë që vrasësi, një pensionist pa precedentë penalë dhe shqiptari, banues në Milano dhe i papunë, me historik në trafik droge, krime pronësie dhe prostitucioni, debatonin për të njëjtën grua. Ishte e shoqja e italianit, një 45-vjeçare, e cila prej kohësh kishte nisur një lidhje jashtëmartesore me shqiptarët.
Ka fqinjë që pretendojnë se edhe më parë i kanë dëgjuar dy burrat duke u grindur me njëri-tjetrin. Madje një herë ka ndërhyrë edhe Policia! Por sërish, 45-vjeçari prej muajsh frekuentonte shtëpinë e Budrit, edhe pse pensionisti e kishte kapur dhe e kishte nxjerrë disa herë jashtë banesës. Të premtën nuk do të dilte më! Hetuesit kanë rindërtuar dinamikën e ngjarjes duke bërë me dije se natën që ndodhi ngjarja, shqiptari ishte futur i dehur në banesën e tyre. Në atë moment ka sulmuar gruan në sy të djalit të saj 11-vjeçar, të cilin e kishte sjellë në jetë nga një lidhje e mëparshme. I moshuari ka dëgjuar britmat, ka ndërhyrë për të mbrojtur gruan dhe mes dy burrave ka nisur një sherr. Në një moment ka marrë armën e zjarrit, një Beretta e kalibrit 22, dhe kërcënoi Hakajn.
"Dil nga shtëpia ime njëherë e përgjithmonë!,"-dhe për ta kërcënuar kishte qëlluar 2 herë në ajër.
45-vjeçari ishte larguar me vrap nga shkallët, por 78-vjeçari e kishte ndjekur dhe qëlloi edhe disa herë të tjera. Viktima mori një plumb në gjoks dhe u rrëzua nga shkallët. Kur pranë tij shkoi ambulanca, mjekët mundën të konfirmonin vetëm orën e vdekjes./ZËRI