
LEZHË- Është mbajtur sot në Gjykatën e Lezhës, seanca e radhës për vrasësin e dyshuar të biznesmenit Ardian Nikulaj, portugezin Ruben Saraiva. Ai i ka qëndruar besnik deklarimeve të para që ka bërë, duke mohuar autorësinë e krimit, dhe duke refuzuar që të bashkëpunojë me drejtësinë.
Përmes avokatit të tij mbrojtës, Saraiva ka kërkuar lirinë, ndërkohë që seanca e sotme u shty për shkak të mungeses së përkthyeses në Gjykatë. Seanca e radhës për Saraivën u caktua ditën e hënë, ndërkohë që ai i druhet një hakmarrje brenda qelisë, dhe për këtë ai është zhvendosur prej disa javësh në ambientet e paraburgimit të burgut 314 në Tiranë.
Portugezi u ekstradua nga Maroku në Shqipëri në muajin Dhjetor 2023. Ai ka refuzuar edhe bashkëpunimin me autoritetet shqiptare, edhe pse Prokuroria e Lezhës i ofroi lehtësim të pozitës penale në rast bashkëpunimi. Por Saraiva mohon që të jetë ai ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur në Shëngjin të Lezhës më 19 Prill 2023.
Saraiva ka pranuar njohjen me Edmond Haxhinë, personin që dyshohet se planifikoi vrasjen e Nikulajt, por thotë se në Shqipëri kishte ardhur vetëm për të kultivuar lëndë narkotike, dhe nuk ka lidhje me atentatin që tronditi Shëngjinin.
Vrasja e Nikulajt pasoi disa ngjarje të tjera kriminale të cilat janë ende pa autor. Në korrik të këtij viti në Balldre të Lezhës u ekzekutua Nikolin Lekstakaj, ndërsa më 4 dhjetor u ekzekutua me breshëri plumbash Etjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulaj, teksa po lëvizte me automjetin e tij fuoristradë ML në aksin rrugor Lezhë-Milot. Pista kryesore e hetimeve të këtyre ngjarjeve është ajo e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj.Ardian Nikulaj u ekzekutua brenda lokalit të tij në Shëngjin të Lezhës, kur portugezi Saraiva, me skafandër në kokë dhe i veshur me jelekë kamuflazhi, hyri dhe qëlloi disa herë me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend./ZËRI