Aktualitet

Vrasja e Nikulajt, Saraiva refuzon të bëhet bashkëpunëtor: Do mbillja drogë në Shqipëri

Saraiva është dërguar në ambientet e paraburgimit të burgut 313 në Tiranë për arsye sigurie

E.K
Vrasja e Nikulajt, Saraiva refuzon të bëhet bashkëpunëtor:
Ruben Saraiva

LEZHË- Portugezi Ruben Saraiva, i cili dyshohet si ekzekutor në vrasjen e Ardian Nikulajt, ka refuzuar që të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë. Saraiva ka mohuar në Gjykatë përfshirjen e tij në vrasjen e Ardian Nikulajt në Shëngjin, ndërsa ka pranuar njohjen me Edmond Haxhinë. Për këtë të fundit, ai ka thënë që së bashku kanë pasur plane që të mbillnin drogë në Shqipëri.

“Nuk kam marrë pjesë në vrasje, Edmond Haxhinë e njoh, kishim plane që të mbillnim drogë në Shqipëri”, mësohet të jetë shprehur Saraiva.  

Burime bëjnë me dije për ZËRIN se për çështje sigurie, Saraiva është dërguar në ambientet e paraburgimit të burgut 313 në Tiranë.

Hetimet në lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj janë duke u kryer nga Prokuroria e Lezhës, e cila është në pritje të ekstradimit nga Britania e Madhe të 4 personave, përfshirë dhe vetë Edmond Haxhisë, i cili dyshohet të jerë porositësi.

Seanca gjyqësore në Britani për personat e vënë nën akuzë nga drejtësia shqiptare, pritet të mbahet në muajin mars. Vetë Saraiva u ekstradua në fund të muajit Dhjetor nga Maroku, ku ishte arrestuar për llogari të drejtësisë shqiptare.

Për vrasjen e Ardian Nikualjt në Britaninë e Madhe janë arrestuar edhe pjesa tjetër e grupit kriminal, Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson, për të cilët akoma nuk ka një vendim ekstradimi për në Shqipëri.

Vrasja e Nikulajt pasoi disa ngjarje të tjera kriminale, të cilat janë ende pa autor. Në korrik të vitit 2023 në Balldre të Lezhës u ekzekutua Nikolin Lekstakaj, ndërsa më 4 dhjetor të po atij viti, u ekzekutua me breshëri plumbash Etjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulaj, teksa po lëvizte me automjetin e tij fuoristradë ML në aksin rrugor Lezhë-Milot. Pista kryesore e hetimeve të këtyre ngjarjeve është ajo e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj. Rindezja e konfliktit mes 2 fiseve përkon me vrasjen e Ardian Nikulajt u ekzekutua brenda lokalit të tij në Shëngjin të Lezhës, kur portugezi Saraiva, me skafandër në kokë dhe i veshur me jelekë kamuflazhi, hyri dhe qëlloi disa herë me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB