Aktualitet

Vrasës me pagesë ekzekutuan Entjan Nikulajn, u mbajt 2 ditë nën vëzhgim

Autorët, që dyshohet se kanë qenë tre, e kanë mbajtur 2 ditë në vëzhgim Nikulajn

E.K
Vrasës me pagesë ekzekutuan Entjan Nikulajn, u mbajt 2 ditë
Entjan Nikulaj

LEZHË- Detaje të reja nga vrasja e Entjan Nikulajt, e cila ndodhi të shtunën në mbrëmje në zonën e Lezhës. Burime bëjnë me dije për Zërin se autorët e kanë mbajtur 2 ditë nën vëzhgim Nikulajn, ndërkohë që makina me të cilën ata kryen krimin është kapur disa herë nga kamerat e sigurisë.

Atentati ndaj tij ka qenë i mirëorganizuar, ndërsa autorët zhdukën çdo gjurmë, duke djegur makinën dhe armët e përdorura në një rrugë dytësore në zonën e Rinasit. Në vendin e ngjarjes, një zonë e pandriçuar ku Nikulaj u qëllua me breshëri, hetuesit gjetën më shumë se 25 gëzhoja.

Paraprakisht autorët dyshohet se janë vrasës me pagesë që operojnë në zonën e Fushë Krujës. 

Pista kryesore në të cilën po heton policia për vrasjen e Entjan Nilkulajt është ajo e hakmarrjes, pasi si pasojë e gjakmarrjes mes fiseve që ka nisur në vitin 1997, vetëm në këtë vit janë vrarë 3 persona.

Burime thonë se deri më tani janë shoqëruar disa persona për të dëshmuar mes tyre dhe të afërm të fisit Lekstakaj por pas dëshmisë së tyre janë lënë të lirë pasi nuk është arritur të provohet që të kenë lidhje me ngjarjen.

Fillimisht në zonën e Shëngjinit u vra biznesmeni Ardian Nikulajt, më pas në Korrik u vra Nikolin Lekstakaj, dhe tashmë vritet 40-vjeçari Entjan Nikulaj. Për vrasjen e Ardian Nikulajt ka disa të dyshuar dhe arrestuar në Britaninë e Madhe dhe Marok, por asnjëri prej tyre nuk është ekstraduar për t'u përballur me drejtësinë shqiptare. 

Për asnjërën prej vrasjeve, nuk ka persona që janë arrestuar në Shqipëri, dhe kjo e shndërron shtetin shqiptar në një spektator të zinxhirit të hakmarrjeve. 

/ZËRI

Poll

MOS HUMB