Aktualitet

Vrasja e Alfred Dedjas, merren në pyetje 20 persona, familjarët mohojnë konfliktet, dëshmitari: S’di asgjë

Personi në fjalë, të cilit ende nuk i është zbardhur identiteti ka treguar se nuk ka asnjë dijeni për konfliktet mes tyre që çuan deri në vrasjen e 50-vjeçarit.

F.m
Vrasja e Alfred Dedjas, merren në pyetje 20 persona, familjarët
Alfred Dedja

TIRANË- 20 persona, dëshmitarë ose njerëz që mund të kenë dijeni për rrethanat që mund të kenë sjellë vrasjen e Alfred Dedjas apo vendodhjen e Julian Gjoshit, janë marrë në pyetje nga Policia e Shtetit. Në pyetje është marrë edhe personi që ka qenë në tavolinë me Gjoshin, i cili ka shpjeguar dhe dinamikën e ngjarjes. Personi në fjalë, të cilit ende nuk i është zbardhur identiteti ka treguar se nuk ka asnjë dijeni për konfliktet mes tyre që çuan deri në vrasjen e 50-vjeçarit. Edhe familjarë të autorit dhe viktimës kanë mohuar të kenë dijeni në lidhje me konflikte mes tyre.

Ngjarja ndodhi një ditë më parë në Ndroq. 50-vjeçari Dedja ishte ulur në një lokal në zonën e Ndroqit, ku dhe banonte, në momentin që Julian Gjoshi u fut brenda. Dedja u ngrit që ta përqafonte, por Gjoshi e qëlloi me armë zjarri duke e lënë të vdekur.

Dyshja njiheshin prej vitesh. Dedja e ndante jetën mes Shqipërisë dhe Italisë dhe ka punuar si menaxher në kompleksin “Golden” që është në pronësi të Altin Hajrit, kunatit të Julian Gjoshit, vend ku u mor peng dhe u vra Jani Prenga. Gjithashtu, siç është raportuar, Dedja ka punuar me Hajri e Gjoshin edhe në fushën e lojërave të fatit, kryesisht të lotove. Nuk dihet ende se çfarë e ka krisur këtë bashkëpunim që çoi në ekzekutimin e 50-vjeçarit.

Poll

MOS HUMB