
BELGJIKË- Një vrasje e ndodhur në prill të vitit 2020 në Belgjikë, e kryer nga një shqiptar, Afrim Mema, ka sjellë debatin nëse duhet të merren si prova përgjimet në aplikacionin SKY ECC. Paraditen e së mërkurës para Gjykatës së Leuven Assize u mbajt seanca e dytë paraprake për të.
Gjatë seancës u diskutua shumë për përdorimin e të dhënave të “Sky ECC” gjatë gjykimit. Në fakt Mema ishte arrestuar para se të dilnin në skenë bisedat e “Sky ECC”, dhe sipas prokurorit vetë ai e kishte pranuar vrasjen e pronarit të një picerie. Mema pranoi se ishte punësuar si atentator për të vrarë viktimën.
Prokurori i Përgjithshëm Ben Pieters ishte i bindur me një “deklaratë të guximshme”: “Fshijeni atë nga tavolina, ne në fakt nuk kemi nevojë për atë informacion. I akuzuari tashmë ka bërë rrëfime dhe e ka pranuar vrasjen”.
Më herët në dosje, seanca duhej të shtyhej për katër muaj, pasi mbrojtja kishte dorëzuar në momentin e fundit 267 faqe konkluzione, përfshirë edhe për “Sky ECC”. Palët e tjera donin kohë për ta shqyrtuar atë, ndërkohë që mbrojtja mori rreth dy orë kohë për të lexuar mesazhet e dërguara dhe të përgjuara përmes “Sky ECC”.
Sipas avokatëve Kris Luyckx dhe Joke Bleys, këto janë marrë në mënyrë të paligjshme.
Po ashtu, u bë e ditur se tre dëshmitarët e thirrur, të cilët ndodhen në burg në Mbretërinë e Bashkuar, do të merren në pyetje me video. Më 19 janar, kryetari Peter Hartoch do të marrë një vendim mbi të dhënat nga “Sky ECC” dhe listat e dëshmitarëve.
SI NDODHI VRASJA:
Në prill të vitit 2020 qendra e Strombeek-Bever në Belgjikë u trondit nga të shtënat. Pronari i një picerie, 42-vjeç u qëllua për vdekje brenda picerisë. Autori u largua, por pak më vonë u arrestua nga policia në Merchtem. Ai i kishte vënë flakën automjetit në të cilin ndodhej arma e vrasjes, e më pas u largua me biçikletë.
Nga hetimet rezultoi se e gjithë ngjarja kishte lidhje me trafikun e drogës dhe më pas u zbulua se pronari i picerisë që mbeti i vrarë ishte kreu i një organizate drogë.
Ndërsa pas vdekjes së tij në krye të organizatës u vendos i vëllai, ndërsa gruaja mbajti për ca kohë një rol dytësor, derisa u spostua nga organizata. Në dhjetor 2020 u kryen një sërë kontrollesh nëpër shtëpitë e të dyshuarve.
Kjo tregoi se 12 anëtarët, kryesisht shqiptarë dhe bullgarë, importonin dhe eksportonin kokainë nga Strombeek-Bever. Ata kanë tregtuar të paktën 84 kilogramë kokainë.
/ZËRI