
TIRANË- Presidenti i vendit Bajram Begaj ka nisur dje një vizitë zytare në Azerbajxhan, ku do të marrë pjesë në Forumin Global të Baku-t, i cili zhvillohet nga datat 14 deri më 16 mars. Ndërkohë në pamjet e mbërritjes së Begajt në Azerbajxhan, shihet dhe pritja që atij i është rezervuar, jo me një makinë shtetërore siç jemi mësuar që ta shohim zakonisht po me një autobus…
Ata që e shoqërojnë Begajn gjatë pritjes në aeroport janë Ministri i Energjisë së Azerbajxhanit Parviz Shahbazov dhe disa zyrtarë të tjerë. Mbërritja e Begajt ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Aeroportin Ndërkombëtar Heydar Aliyev.
Kjo është vizita e disatë që Begaj bën në shtetin e Azerbajxhanit, gjatë mbajtjes së detyrës së tij si president. Së fundi vendi aziatik ka hequr vizat me Shqipërinë, dhe qytetarët e dy vendeve mund të lëvizin liriusht mes tyre. Po ashtu me Azerbajxhanin ka disa projekte të rëndësishme në setorin e energjisë, ku mund të përmendim projekte me rëndësi strategjike si gazsjellësi adriatiko-jonian TAP, gazifikimi i Shqipërisë, apo bashkëpunimi në disa sektorë me rëndësi.
Pjesë e diskutimeve në nivel zyrtarësh ka qenë gjithashtu vendosja e një linje direkte ajrore me Azerbajxhanin./ZËRI