
TIRANË- Me urdhër të SPAK është vënë në pranga Evis Berberi, kreu u Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili u raportua se kishte dhënë dorëheqjen nga detyra. ZËRI mëson se përveç tij janë vënë në pranga edhe disa persona të tjerë, identitetet e të cilëve nuk dihen ende.
Burime bëjnë me dije se arrestimi i Berberit është bërë gjatë mbrëmjes së djeshme, me urdhër gjykate, nën akuzën e korrupsionit dhe të pastrimit të parave.
Pak ditë më parë agjentët e BKH-së kanë kryer kontrolle në banesën e Berberit ku janë gjetur shuma parash, që dyshohet se janë përfituar përmes korrupsionit. Po ashtu gjatë kontrollit të banesës, Berberit i janë gjetur disa piktura të shtrenjta.
Berberi u emërua në krye të ARRSH në qershor të vitit 2021, ku zëvendësoi në këtë detyrë, Ergys Vjerdhon, edhe ky i fundit nën hetim nga SPAK për dyshime se është përfshirë në afera korruptive.
Së fundi Vjerdho është emëruar në krye tgë drejtorisë së Hekurudhave Shqiptare./ZËRI