TIRANË- Pamje të dyshimta kanë qarkulluar gjatë ditëve të fundit, lidhur me disa gra të mbuluara pranë shkollave në disa zona periferike të Tiranës. Foto dhe video janë shpërndarë gjerësisht, duke ngritur shqetësimin e prindërve për sigurinë e fëmijëve të tyre.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila ka bërë të mundur identifikimin e dy shtetaseve që shfaqen në videon e publikuar. Sipas njoftimit, bëhet fjalë për dy shtetase iraniane, të pajisura me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë për arsye humanitare.
Blutë bëjnë me dije se, nga veprimet hetimore, nuk ka rezultuar që këto shtetase të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve, ndërsa garantojnë qytetarët se nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e tyre.
Reagim i Policisë së Shtetit
Duke marrë shkas nga një lajmin i publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohej se disa gra të mbuluara komunikonin në mënyrë të dyshimtë me të mitur, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit nisën menjëherë me iniciativë, verifikimet dhe hetimet përkatëse.
Si rezultat i veprimeve të kryera, u bë i mundur identifikimi i dy shtetaseve që shfaqen në videon e publikuar.
Shtetaset, me inicialet M. G. dhe A. G., u shoqëruan më datë 21.04.2026 në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Nga verifikimet e deritanishme rezulton se këto shtetase janë me shtetësi iraniane dhe janë të pajisura me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, për arsye humanitare.
Në përfundim të veprimeve hetimore paraprake, nuk ka rezultuar që këto shtetase të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se, në këtë rast, nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e të miturve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme.