Aktualitet

SPAK kërkon pushimin e çështjes ndaj gjyqtares Irena Gjoka, shtyhet seanca në GJKKO

Seanca u shty për shkak të mungesës së prokurorit të çështjes dhe kallëzueses Adriana Kalaja, ndërsa e radhës do të mbahet në datën 4 maj, ora 11:00. 

zh.ll
SPAK kërkon pushimin e çështjes ndaj gjyqtares Irena Gjoka,
irena gjoka

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shtyrë seancën për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për pushim e çështjes ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e kallëzuar nga PD për falsifikim të vulave dhe formularëve. 

Seanca u shty për shkak të mungesës së prokurorit të çështjes dhe kallëzueses Adriana Kalaja, ndërsa e radhës do të mbahet në datën 4 maj, ora 11:00. 

Gjyqtarja Gjoka u kallëzua nga Partia Demokratike me pretendimin se ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim të dhënë ndaj saj nga një gjykatë në Janinë.

Por, çfarë pretendon SPAK?

Sipas SPAK gjatë hetimeve janë administruar materiale të shumta, përfshirë kallëzime shtesë, dokumente nga institucione vendase dhe të huaja, si dhe janë kryer verifikime në Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe autoritetet greke, përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

SPAK argumenton se nga dokumentacioni i ardhur nga Greqia rezulton se ndaj Irena Gjokës ekziston një vendim i vitit 2005 i Gjykatës së Shkallës së Parë në Janinë, ku ajo është shpallur fajtore për shkelje që lidhen me hyrjen dhe qëndrimin e paligjshëm në territorin grek, duke u dënuar me burgim dhe gjobë, kjo e fundit e konvertuar sipas vendimit. Si pasojë, ndaj saj janë marrë masa administrative, përfshirë dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në zonën Schengen, të cilat janë kundërshtuar prej saj në gjykatat administrative greke. Vendimi ishte dhënë në mungesë të saj dhe pa njoftim të rregullt, ndërsa më pas autoritetet greke e kanë arkivuar për shkak të parashkrimit.

Sipas SPAK, në dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga autoritetet greke nuk figuron dënim penal ndaj Gjokës, ndërkohë që edhe vetëdeklarimi i saj për mungesë vendimi të formës së prerë është i saktë. Për pasojë, ndjekja penale konsiderohet e shuar dhe nuk provohet se gjyqtarja ka kryer veprën penale./ZËRI

Poll

MOS HUMB