
TIRANË- Nga lista e 805 gjyqtarëve e prokurorëve, 406 prej tyre u larguan nga drejtësia ku kryesojnë të shkarkuarit, të larguarit me dëshirë dhe ata që ju mbaroi mandati i magjistratit. Gazetarja Anila Hoxha raporton për Top Channel se nga hapja e seancave publike në vitin 2018, kanë mbetur ende pa u kontrolluar dhe 73 gjyqtarë, prokurorë e ndihmës ligjore të cilëve duhet tu verifikohen pasuritë, pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale.
Afati është 31 dhjetori i vitit 2024. Por largimi i gjysmës së gjyqtarëve e prokurorëve ka bërë q Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të propozojë një mënyrë të re për plotësimin e vakancave. Dhe kjo mënyrë është shumë larg mënyrës se si rekrutohen aktualisht gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm, të cilët sipas ligjeve në fuqi së pari i nënshtrohen konkursit dhe së dyti ndjekin formimin fillestar për magjistratë për tre vjet.
KPK propozon kthimin “e shkollës së plepave”, me të vetmin ndryshim që 6 muajt e dikurshëm të kursit të përshpejtuar të 1994, 22 këshilltarët ligjorë t’i ndjekin në shkollën e magjistraturës. Gjashtë muaj të tjerë propozohet të ndiqen si praktikë.
Më herët në 29 janar, Këshilli Drejtues i Shkollës së magjistraturës, shpërndau një njoftim përmes të cilit bëri me dije se ka vendosur të ndryshojë rregullimin e kriterit të mesatares së lëndëve, duke hequr kërkesën për notë mesatare mbi 8 të lëndëve kryesore.
Në një reagim publik pas vendimit, Qëndresa Qytetare, një organizatë që lufton për cilësi në arsimin e lartë, e cilësoi vendimin e Shkollës së Magjistraturës të gabuar.
Me këtë ndryshim, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës ka mundësuar që edhe të diplomuarit si juristë që nuk arrijnë këtë kriter të munden të jenë pjesë e trupës së magjistratëve të rinj, nëse zgjidhen si fitues.