
TIRANË- 44 të burgosur në burgun e sigurisë së lartë në Peqin pretendojnë se po diskriminohen nga ligjbërësit. Në një letër të dërguar ministrit të drejtësisë Ulsi Manja, kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, kryetarit të opozitës Lulzim Basha si dhe Top Channel, të burgosurit kërkojnë që të përfshihen në projektligjin me ata që kanë vuajtur shumicën e dënimit, për akuzën e trafikut të drogës.
Në listën me 44 emra kanë firmosur edhe ish-zyrtarët e policisë Sokol Bode e Gjergj Kohila, apo Arben Lekli i grupit që kultivoi kanabis në Skrapar, Adrian Xhibro, i dënuari i grupit të kanabisit në Sarandë, si dhe të dënuarit për rrëmbimin e Jani Prengës, të cilit ende nuk i është gjetur trupi. Festim Bexhdilin, kopshtarin e kompleksit ‘Golden’ në Shijak, i cili akuzohet për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës, në janar të vitit 2020.
Përmes letrës, ata e konsiderojnë veten ‘të thjeshtë’ dhe shprehen se nuk mund të barazohen e të ndëshkohen për shkak të korrupsionit në nivele të larta.
“Sepse po digjemi, po diskriminohemi për disa raste të korrupsionit të lartë që ne nuk kemi asnjë lidhje. Në gabimin tonë e kemi shlyer shkruhet më tej dhe kërkojmë që në amnisti të përfshihen të dënuarit e SPAK për kanabis,”- shkruajnë më tej të burgosurit.
Pak ditë më parë, të burgosurit në Durrës kanë bërë të njëjtin peticion për miratimin e Amnistisë Penale. Ata kërkuan që Opozita të bashkojë votat me mazhorancën për kalimin e projektligjit në Kuvend. 46 të burgosur në kërkesën e tyre drejtuar qeverisë Rama kërkojnë që Amnistia mos të ‘mbahet peng”, por palët të gjejnë një gjuhë të përbashkët në mënyrë që ata të lirohen nga burgu.
“Ne të burgosurit e burgut të Durrësit që përfitojmë ose jo nga ligji për Amnistinë Penale kërkojmë që siç është premtuar nga qeveria të kemi mundësinë të amnistohemi sa më shpejt. Për pazare politike ne nuk mund të mbahemi peng. Në çdo kohë ka pasur amnisti ndaj kërkojmë që të gjendet gjuha mes politikës që ne të jemi jashtë në shërbim të familjeve tona. Të burgosurit kanë një status, nuk ka të majtë dhe të djathtë, jemi një. Lutemi që inatet politike mos të jenë ngërç për ne. Duam ti shërbejmë familjeve tona. Kërkojmë të merret në konsideratë kërkesa jonë politike,”- thuhej në kërkesë.
Aministia penale nuk kaloi në Kuvend. Fillimisht deputetët e PS-së dhe ata të Lulzim Bashës ranë dakord që të bashkonin votat të enjten, në mënyrë që amnistia të kalonte në Kuvend, por përfshirja e pikës për personat e dënuar nga GJKKO, bëri që Basha të tërhiqej.
Basha deklaroi se nuk do të ishin ta pranishëm në seancë pasi në asnjë rast nuk janë pro amnistisë për personat e dënuar nga GJKKO, duke fajësuar kështu në mënyrë indirekte Rithemelimin.
Deputeti Bledion Nallbati u shfajësua duke u shprehur se atë pikë e ka shtuar deputeti Plarent Ndreca dhe jo grupi i mbështetësve të kryedemokratit Sali Berisha.
Ministri Ulsi Manja u shpreh i keqardhur për qëndrimet e opozitës, por nuk dha sqarime se si u bashkëngjit kërkesa e Ndrecës në amandamentin e Nallbanit. 84 votat nuk janë bërë ende dhe kalimi i amnistisë penale nuk dihet se kur do të realizohet!