
TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka pushuar çështjen për vdekjen e Lear Kurtit, e ndodhur në tetor 2022, pasi nuk gjen shkelje nga policët. Sipas hetimeve, ka rezultuar se vdekja ka ardhur nga mbidoza e lëndës narkotike. Ndaj edhe kërkesa e Prokurorisë për pushimin e çështjes është depozituar në gjykatë.
Njoftimi:
Mbidozim (Helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Ishemi akute Hypoksite e miokardit e shoqëruar me kontraktim dhe deformim të miofibrilive, edemë e shprehur e trurit, stazë vazale dhe ekstravazat kapilar, atelektazë dhe emfizemë kompesatore e mushkrisë, hepatit kronik persistent. Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës).
32-vjeçari, Lear Kurti, vdiq më 20 tetor të 2022 në duart e policisë së Tiranës. Agjencia e Mbikqyrjes Policore tha fillimisht se i riu u ndoq e u ndalua në rrugë dhe u ndje keq gjatë shoqërimit në komisariat e më pas vdiq në spital. I riu gëlltiti dy doza të vogla të kokainës për t’i shpëtuar arrestimit të policëve. Burime nga spitali i Traumës thanë se Kurti është çuar aty pa shenja jete nga policia e për rrjedhojë është adresuar në morg. Viktima kishte precedent penalë për drogë dhe vjedhje, ndërkohë që gjatë mbajtjes në komisariat shokët e tij kishin informuar policët se i riu kishte probleme shëndetësore. Vdekja e të riut shkaktoi një sërë përplasjesh, pasi opozita akuzoi policinë e Shtetit se ishin ato që e vranë Lear Kurti, e për ketë thirrën edhe protesta duke kërkuar drejtësi./ZËRI