Aktualitet

Vajza 3-vjeçare gëlltiti 62 rruaza magnetike, shpëton mrekullisht

Mjekët bëjnë apel për të drejtuar kujdes tek fëmijët, sidomos tek moshat 1-3 vjeç

F.I
Vajza 3-vjeçare gëlltiti 62 rruaza magnetike, shpëton
mjeku Virtut Velmishi

TIRANË-Një vajzë 3-vjeçare rrezoi jetën e saj pasi kishte gëlltitur 62 rruaza magnetike. Rasti në fjalë është trajtuar në Spitalin Pediatrik teksa mjeku gastrohepatolog, Virtut Velmishi tregoi sesi jeta e vogëlushes u shpëtua nëpërmjet procedurës së ndërlikuar. Sipas tij, ky është një rast unik për nga sasia e madhe e objekteve të gëlltitura. Megjithëse paraqiste vështirësi të mëdha, ekipi mjekësor arriti t’i nxjerrë rruazat përmes një procedure endoskopike, duke shmangur kirurgjinë.

“Vajza mbërriti rreth orës 22:00 dhe nga mjeku i turnit më është referuar grafia. U evidencua një konglomerat sferash magnetike. Ajo kishte gëlltitur rreth 62 sfera magnetike, të cilat mund të dëmtonin rëndë traktin digjestiv dhe të rrezikonin jetën e fëmijës. Mendoni një stomak sa një portokall, ku duhet të heqësh një masë të madhe sferash magnetike. Endoskopia dhe ezofagu i një fëmije nuk e lejojnë lehtë këtë. Ia dolëm t’i ndajmë në katër pjesë dhe, me një kosh endoskopik, arritëm ta kryenim me sukses procedurën. Fëmija u shpëtua nga ndërhyrja kirurgjikale dhe brenda ditës u kthye në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore,” u shpreh Dr. Velmishi, për Euronews.

Mjekët bëjnë apel për të drejtuar kujdes tek fëmijët, sidomos tek moshat 1-3 vjeç, teksa shton se raste të tilla të ngjashme janë të shpeshta në pediatri.

Poll

MOS HUMB