Aktualitet

Shumë degë rrezikojnë mbylljen, rektori Hoxha: UT na nderon, s’jemi në fund të listës

Kështu sipas universiteteve, në Shkodër rrezikojnë që të mbyllen 10 programe studimi, në Elbasan 15 programe studimi, në Korçë dy programe studimi dhe në Vlorë 3 programe studimi. Po Tirana?

E.K

Shumë degë rrezikojnë mbylljen, rektori Hoxha: UT na nderon,

TIRANË- Viti i ri Akademik që ka nisur sot për 121 mijë studentë në të gjithë vendin, është shoqëruar me disa problematika, ku më kryesorja është ajo e mbylljes së programeve të studimit. Nga Universiteti i Tiranës, ku ka pësuar një rënie drastike të kërkesave për degët e Shkencave si Kimia, Matematika apo Fizika, në Universitetet e rretheve, dhjetëra degë rrezikojnë që të mbyllen.

Kështu sipas universiteteve, në Shkodër rrezikojnë që të mbyllen 10 programe studimi, në Elbasan 15 programe studimi, në Korçë dy programe studimi dhe në Vlorë 3 programe studimi. Të gjitha këto programe nuk kanë pasur asnjë regjistrim për vitet e para, dhe pritet që të ketë një udhëzim nga Ministria e Arsimit se si do të procedohet më tej.

Universitetet e Tiranës- Përveç studentëve të Mjekësisë që e kanë nisur këtë vit të ri akademik me bojkot, për shkak të vendimit të qeverisë që i detyron ata që të qëndrojnë për 5 vite në Shqipëri pas studimeve, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ka pasur një rënie të ndjeshme në degët e studimit Kimi, Fizikë dhe Matematikë. Pak më shumë se 20 studentë janë regjistruar në këto programe, ndërsa nuk dihet ende nëse do të ketë një udhëzim për mbylljen e tyre.

Interes të lartë kanë degët e Infermierisë, ndërsa ka pasur shtim të aplikimeve dhe për disa degë të Bujqësorit, që janë renditur prioritare nga qeveria, ku studentët do të përfitojnë bursë mujore përgjatë gjithë ciklit të studimeve, e barabartë kjo me pagën minimale në Shqipëri. Sa i takon renditjes së Universiteteve shqiptare në fundin e renditjes botërore, rektori Artan Hoxha deklaroi se një gjë e tillë është e pavërtetë. Sipas rektorit, “në kriteret e rankimit, dy kategori janë të paplotësuara sepse është ende në përpunim.”

Në fjalën e tij për gazetarët, ai shtoi se “Universiteti i Tiranës nuk është një universitet për ta turpëruar Shqipërinë, por e nderon atë.”

“Nuk është e vërtetë që UT ka rënë 200 vende, sepse ky rankim bëhet për herë të parë për universitetet e Shqipërisë, që domethënë kur futesh për herë të parë nuk ka as më lart as më poshtë. Ky është një nga rankimet që është në përpunim, rezultatet i nxjerr në vitin 2024. Në kriteret e rankimit, dy kategori janë të paplotësuara sepse është në përpunim. Universiteti i Tiranës nuk ka nevojë të shitet as nga unë, as nga kush tjetër, sepse është në vetvete i tillë.

Përveç një rankimi ka edhe të tjera botërore që ne i njohim zyrtarisht. Universiteti i Tiranës ka një diferencë të lartë me institucionet e tjera brenda vendit me një numër pikësh mbi 2000 vende. Në rang botëror, Universiteti i Tiranës nuk është një universitet për ta turpëruar Shqipërinë, por e nderon Shqipërinë”, tha rektori për gazetarët.

VLORË- Fakulteti i Shkencave Humane ka qenë një nga pikat më të rrezikuara për mbyllje të degëve. Për të dyja ciklet e studimit master dhe bachelor, të paktë janë studentët që janë regjistruar në këto degë të Mësuesisë, Sociologjisë apo edhe të Media-Komunikimit, e cila është një nga degët më të reja që FShH ofron. Degët e mësuesisë kanë rënie, programe të historisë, gjeografisë, pedagogjisë së specializuar. Por besojmë se programe si Media-komunikimi, Trashëgimia kulturore dhe Guida turistike do të funksionojnë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Fakultetin e Shkencave Natyrore ku edhe atje duket se ka një rënie të ndjeshme të numrit të studentëve të cilët do të ndjekin programet e studimit për këtë vit akademik. Lëndët Kimi, Fizikë, Matematikë dhe Gjuhë Italiane, nuk regjistrojnë ende asnjë student, ndërsa nga të dhënat paraprake nga rektorati mësohet se fakulteti më i kërkuar është ai i Shëndetit Publik.

Dega Infermieri me rreth 240 studentë të regjistruar dhe dega Mami me rreth 70 studentë të regjistruar. Në fakultetin e Ekonomikut janë regjistruar 100 studentë dhe tek Shkencat Teknike 175 studentë. Gjithsesi sipas rektoratit regjistrimet janë të hapura edhe këtë javë  të nisjes së vitit të ri akademik.

SHKODËR- 10 programe studime rrezikojnë të mos nisin vitin e ri akademik në universitetin e Shkodrës për shkak të numrit shumë të vogël të studentëve. Nga 0 deri ne 6 regjistrime ka në degët e studimeve në frëngjisht, histori, fizikë, gjeografi, gazetari, biologji-kimi etj. Rektorja Rajmonda Kçira, thotë se po pritet një udhëzim i ministrisë se si do të veprohet me degët që rrezikojnë të mos hapen.

“Risitë e këtij viti akademik janë tre programe të reja, normalisht që tërheqin më shumë studentë, ka infrastrukturë të përmirësuar dhe laboratore të reja. Janë çregjistrimet këto dy ditë, dhe regjistrimet në datën katër. Deri tani janë 895 studentë të regjistruar. Mbi 100 janë në programe profesionale, risi kjo për universitetin.

Qeveria ka marrë masa për financimin e studentëve që regjistrohen.Unë shpresoj që do të ketë një zgjidhje. Për momentin jemi në fazën e regjistrimeve të reja. Nuk flitet për mbyllje programi, flitet për aktivizim programesh. Asnjë nuk mundet të mbyllet. Shpresojmë për më të mirën!”, tha rektorja.

ELBASAN- Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” nga 2114 kuota të lira në të gjitha degët, janë regjistruar 1097 studentë, ose 50 % e kuotave të plotësuara. Fakulteti që ka interesin më të lartë është ai i Shkencave Mjekësore Teknike ku janë ezauruar 65% e kuotave, ndërsa programi më i lakmuar është Infermieria, e cila nuk ka asnjë vend të lirë, teksa janë regjistruar 250 studentë. Ndërsa programet e mjekësisë vijojnë të preferohen masivisht, e njëjta gjë nuk ndodh me programet e mësuesisë. Rreth 15 prej tyre operojnë me numër minimal studentësh për të cilët në vijim do të vendosë senati.

Tkurrje të numrit të studentëve në Universitetin e Elbasanit shënon edhe Fakulteti i Ekonomikut, i cili dikur renditej mes më të preferuarve, sidomos për studentët rezident në Elbasan. Në total në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” këtë vit akademik janë ulur në auditore në të gjitha programet e studimit mbi 6 mijë studentë.

KORÇË- Në qytetin e Korçës dy programet e “Filozofi Sociologjisë” dhe “Ekonomiksit” të cilat nuk kanë asnjë student të regjistruar në Universitetin e Korçës, do të pezullohen, ndërkohë që senati akademik do të shqyrtojë rast pas rasti edhe disa programe të tjera të cilët kanë më pak se 10 studentë, për të vendosur nëse do të mbyllen ose jo. Këtë vit në Korçë janë regjistruar për herë të parë 530 studentë.

“Shifra e regjistrimeve ka arritur në një shifër rekord nga ato që prisnim në mjaft programe që vitin e kaluar ishin të rrezikuara ndërsa sot janë në limitet e së përkryerës, pra të maksimales. Natyrisht që në tregun e ashpër të arsimit të lartë, ka dhe programe që kanë më pak regjistrime, por kjo nuk i takon rektorit, është senati akademik që vendos nëse me numrin e regjistrimit deri në fund të raundit të dytë që përfundoi dje, do të vazhdojnë si programe apo do të pezullohen përkohësisht.

Në dijeninë time janë dy programe që janë me minimum që është “Filozofi Sociologjisë” dhe Ekonomiksi”, ndërsa tek Shkencat e Natyrës, programet e Matematikës dhe Fizikës janë me shifra të ulëta. Meqë këto programe janë të përafërta shumicën e leksioneve i zhvillojnë bashkë, natyrisht që ato mund të funksionojnë sepse kanë në përqindjen më të madhe 80-90% të programeve i kanë njëlloj”, është shprehur rektori Dhimitri Bello.

….

Përpos problemeve me degët e studimit që rrezikojnë mbylljen, vetë studentët në nisje të vitit akademik përballen dhe me problematika të tjera, veçanërisht me rritjen e qerave për shtëpitë e qëndrimit, që sidomos në Tiranë janë kthyer në të papërballueshme, dhe ju kushton familjeve të tyre qindra mijëra lekë çdo muaj!/Zëri.ai

Poll

MOS HUMB