
TIRANË- I penduari i drejtësisë, Artan (Marjus) Tafani zbulon se miku i tij, Laert Haxhiu kishte planifikuar eliminimin e dy prokuroreve dhe një avokati, që kishin gjykuar në të shkuarën dosjen për masakrën e Lushnjes, ku akuzohej vetë ai dhe bashkëpunëtorët e tij, Orges Bilibli dhe Anterio Kaloshi. E para që "vuri dorë" mbi dosjen e masakrës së Lushnjes ishte Merita Selimi, e cila e "postoi" shpejt për në SPAK. Sipas prokurores së Lushnjes, çështja duhet që të hetohej në Tiranë dhe shpalli "moskompetencë", duke ia dorëzuar Doloreza Musabelliut. Plani për eliminimin e tyre u zbulua nga Artan Tafani.
“I kemi ndjekur. Laerti ka dashur të sulmojë Doloreza Musabelli, pasi ishte prokurorja e çështjes së tij në SPAK. Kjo prokurore kishte dënuar me burgim të përjetshëm shokun e Laertit Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. I kemi mbajtur nën vëzhgim dhe familjet e tyre. Laerti, pretendonte se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se kjo prokurore po i bënte gropën. Atij ju fiksua që ta vriste prokuroren ose ndonjë njeri të afërm të familjes. I kemi bërë foto prokurores, burrit avokat dhe fëmijëve. Laerti tha se fotot e fëmijëve duhet më parë t’ia nisnim burrit të prokurores për të parë se çfarë ndikimi dhe reagimi do sillte,”- ka thënë Tafani.
REAGIMET
Prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi tha në telefon për TCH: Të lutem nuk prononcohem për këtë fakt. Më shqetëson fakti që më kanë nxjerrë foto të vajzës.
Kështu u shpreh prokurorja Selimi, ndërsa hetuesja e SPAK, Doloreza Musabelliu deri më tani ka zgjedhur që të heshtë dhe të mos japë asnjë koment lidhur me planin që po bëhejë për eliminimin e saj. Aktualisht të dyja janë marrë në mbrojtje, veçse në nivele të ndryshme. Selimi, duke qenë se nuk është pjesë e sistemit të drejtësisë ndaj është marrë nën mbrojtje bashkë me familjarët e saj nga Policia e Lushnjes. Ndërkohë që nga ana tjetër, Musabelliu është nën kujdesin e Gardës së Republikës. Për secilën prej tyre kërkesa është bërë përkatësisht nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por ndryshe është vepruar në rastin e avokatit.
I penduari Tafani ka bërë me dije se grupi kishte bërë plan të vriste edhe avokatin Adriatik Guri (Doga), i cili i shpëtoi atentatit dy vite më parë. Artan Tafani ka treguar se avokatin do e vriste vetë ai, Laerti dhe Lulzim Arapi. Avokati Guri sot jeton vetëm prej faktit së në momentin që grupi kriminal zbarkoi me arsenal armësh pranë banesës së tij, ai është takuar me një komshie, çfarë ka detyruar tre kriminalët të ndalojnë dhe të presin. Por, avokati, pasi hyri në apartamentin e tij, nuk doli më nga aty, duke anuluar edhe planin e vrasjes.
Rrëfimi duket se ka shokuar avokatin.
“E dëgjova emrin tim në televizor e përmendi Drejtori i Përgjithshëm. Por s’më ka marrë asnjë. As komisariati i Lushnjës ku jetoj. Ndihem i trembur. Po duan të na vrasin le të na vrasin,”- tha avokati dje.
Ndryshe pretendon sot..
Avokati Adriatik Doga, i cili u përmend nga i penduari i drejtësisë Artan Tafani si një nga ‘shënjestrat’ e Laert Haxhiut, po merret në pyetje nga Policia e Elbasanit. Në një prononcim për Zëri.ai, Doga shprehet se është thirrur nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit dhe po merret në pyetje. I pyetur se përse për të nuk është kërkuar ende një urdhër mbrojtje, njësoj siç është operuar me prokuroret Doloreza Musabelliu dhe Merita Selimi, avokati thotë se kjo gjë është kompetencë e Dhomës së Avokatisë.
“Përshëndetje, urdhërin e mbrojtjes për mua e kërkon Dhoma Kombëtare e Avokatisë, unë me familjen e Laertit nuk kam asgjë. Unë momentalisht jam në Elbasan i thirrur në Drejtorinë e Policisë,”- tha Doga për Zëri.ai.
Lidhur me çështjen e tij, Zëri.ai tentoi që të fliste edhe me Dhomën e Avokatisë në Lushnje, por nuk mori asnjë përgjigje. Po ashtu, kemi kontaktuar edhe me kreun e Dhomës së Avokatisë në Tiranë, ndërsa ende mbetemi në pritje të një përgjigje. Deri më tani nuk dihet se përse nuk është marrë në mbrojtje avokati edhe pse dëshmia e Tafanit është bërë publike nga të gjitha mediat në vend.
LAERTI HESHT, POR FLET I ATI
Ndërkohë që Laert Haxhiu ndodhet në Greqi, i burgosur për prishje të qetësisë publike, sqarimet për të birin i ka marrë përsipër për t'i bërë i ati, Qamili. Në një intervistë të dhënë ditën e sotme, ai është shprehur se të gjitha pretendimet e mësipërme janë trillime të Tafanit dhe se i biri nuk ka planifikuar që të vrasë asnjë.
Për hetueset Musabelliu dhe Selimi tha: Kam një mesazh për të. Ajo të flejë e qetë, të flejë mbi dafina. Mos ta ketë merak fare. Nuk kemi asgjë, as me Dolorezën, as me njëri tjetër. Ato punojnë në emër të shtetit. Ku bazohesh ti që thua që do vrasi Dolorezën? Shteti pse nuk ngrihet në këmbë me gjithë këta njerëz që akuzohen? Po këta njerëz që kanë njerëz mbrapa? Pse del shteti në konkluzione të parakohshme?
Ndërsa as për Dogën nuk i pranoi akuzat, madje shtoi se aktualisht, ambienti nga ku po jepte intervistën ishte pikërisht lokali në pronësi të avokatit./Zëri.ai